Denar Biba krenohet, por a do i dëgjohet fjala nga One dhe Vodafone?
“E vutë re se sa pak media i bënë jehonë vendimit të Autoritetit të Konkurrencës që i detyron kompanitë ONE dhe VODAFONE të përmirësojnë sjelljen ndaj konsumatorit?”
Kështu shkruan kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, i cili ka reaguar publikisht pas vendimit të institucionit që drejton për vendosjen e një sërë detyrimesh ndaj dy operatorëve më të mëdhenj celularë në vend.
Biba shpreh habinë për atë që e konsideron si mbulim të pamjaftueshëm mediatik të vendimit, ndërsa nuk kursen as ironinë ndaj disa prej kritikëve të Autoritetit.
1 muaj kaloi, asnjë reagim! A do ulen çmimet tek Vodafone dhe ONE?
“Madje pati prej tyre që edhe na kritikuan për ‘tejkalim kompetencash’(!) e, ndonjë tjetër (të zakonshmit), që e shpjegoi këtë me ‘prishje pazari’!!!”, shkruan Biba, duke shtuar me ironi se këto reagime mund të jenë bërë duke e matur Autoritetin “me kutin e vet”.
Në fund, kreu i Autoritetit falënderon mediat që, sipas tij, kanë kontribuar në promovimin e kulturës së konkurrencës.
Reagimi i Bibës vjen rreth një muaj pas vendimit të Komisionit të Konkurrencës, i cili më 24 korrik vendosi një sërë masash detyruese ndaj Vodafone Albania dhe One Albania pas përfundimit të hetimit të thelluar në tregun me pakicë të shërbimeve celulare. Vendimi u publikua më 27 korrik.
Sipas Autoritetit, hetimi evidentoi problematika që lidhen me çmimet, ngjashmërinë e paketave, aksesin në ofertat ekonomike dhe alternativat në dispozicion të konsumatorëve.
Mes detyrimeve të vendosura është krijimi, brenda 90 ditëve, i paketave të dedikuara për pensionistët dhe studentët 18-23 vjeç. Operatorët duhet gjithashtu të ofrojnë paketat më të lira edhe në pikat fizike të shitjes dhe jo vetëm në aplikacione apo kanale online.
Po ashtu, pas përfundimit të kontratës, abonentët duhet të kenë mundësi të kalojnë në një paketë më ekonomike pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara. Çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketave duhet të komunikohet individualisht dhe të paktën 30 ditë përpara hyrjes në fuqi.
Por ndërsa Denar Biba shfaqet publikisht i kënaqur me vendimin dhe me atë që e konsideron si një hap në favor të konsumatorit, mbetet një pikëpyetje e rëndësishme:
A do t’i dëgjohet fjala Autoritetit të Konkurrencës nga Vodafone dhe One Albania?
InfoNews iu drejtua më herët të dy kompanive për të mësuar se si do të veprojnë për zbatimin e masave të vendosura dhe nëse kanë nisur përgatitjet për përmbushjen e detyrimeve. Deri tani, nuk ka pasur një reagim publik nga asnjëra prej tyre mbi mënyrën konkrete se si do të zbatohet vendimi.
Dhe pikërisht këtu qëndron sfida për Autoritetin e Konkurrencës.
Sepse një vendim, sado i fortë të jetë në letër, matet në fund me efektin që ka në treg dhe te konsumatori.
Autoriteti ka deklaruar se zbatimi i masave do të monitorohet për një periudhë njëvjeçare dhe se, në rast moszbatimi të detyrimeve, dy operatorët do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.
Kështu, pas reagimit të Denar Bibës për mungesën e jehonës mediatike, pyetja tashmë nuk është vetëm sa media e pasqyruan vendimin, por edhe çfarë do të bëjnë dy kompanitë që janë në qendër të tij.
A do të ndryshojnë realisht paketat? A do të krijohen ofertat e reja për pensionistët dhe studentët? A do të kenë konsumatorët më shumë mundësi për të zgjedhur paketa më të lira?
Apo vendimi i Autoritetit do të mbetet thjesht një tjetër dokument zyrtar, për të cilin u fol për pak ditë?
Përgjigjen pritet ta japin Vodafone dhe One Albania, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës ka përpara edhe detyrën më të rëndësishme: të sigurojë që vendimi i tij të zbatohet në praktikë.

