Kush e do Sarandën pa ligj? E vërteta e sulmit ndaj shefit të krimeve, roli i Elite Security dhe Orange Club
Në Sarandë duket se situata e rendit dhe sigurisë nuk u pëlqen atyre që e kishin kthyer ndër vite këtë qytet bregdetar dhe turistik në një strehë të krimit. Kjo vihet re pasi së fundmi po sulmohet padrejtësisht Policia e Shtetit, konkretisht Komisariati i Sarandës, pasi nuk u pëlqen rendi dhe siguria dhe duan të kenë kontroll në çdo gjë.
Kjo u kuptua edhe në sulmin dhe goditjen për shkak të detyrës që iu bë shefit të Krimeve në Sarandë, Mateo Bakalli. Oficeri i Policisë ndërhyri për të neutralizuar një konflikt jashtë një clubi në Sarandë, ku bodigardët e clubit po dhunonin dy persona. Oficeri ndërhyri për të shpëtuar personat që po dhunoheshin, por i vetëm u sulmua nga bodigardët, edhe pse iu prezantua si shef i Krimeve.
Shefi i Krimeve kreu detyrën. Askush nuk ka të drejtë të vërë dorë mbi punonjësin e Policisë. Nëse prek punonjësin e Policisë, ke goditur shtetin, pasi ai aty përfaqëson shtetin. Nëse ke pretendime, denoncoje në organet e tjera, në AMP dhe Prokurori dhe jo ta godasësh.
Në rrjetet sociale u publikuan disa pamje ku, pasi mbërriti Policia, bodigardët që dhunuan shefin e Krimeve po neutralizoheshin me forcë. Normale që edhe Policia do të përdorë forcën kur përballet me dhunë dhe rezistencë, pasi ligji e përcakton qartë se kur polici sulmohet, ai ka të drejtë të ndërhyjë për të neutralizuar dhunuesin, në përputhje me ligjin.
Pra, Policia të dhunohet, shteti të shkelet me këmbë dhe Policia të mos reagojë fare? Jo. Kush prek uniformën e Policisë duhet të përballet me pasojat dhe përgjegjësinë që parashikon ligji.
Vendin nuk mund ta sundojnë bandat, por ligji dhe shteti.
Prej kohësh, shefi i Komisariatit të Sarandës, Feliks Hodaj, dhe shefi i Krimeve, Mateo Bakalli, po sulmohen edhe në portale, me sulme të orkestruara. Arsyeja? Sepse grupeve dhe krimit që e ka kthyer Sarandën në një qytet si Palermo, nuk i pëlqen rendi dhe siguria. Sulmohen sepse kanë kryer operacione të rëndësishme në këtë qytet.
Mbajeni mend edhe sulmin ndaj oficerit të krimeve, dhunuesit do të kërkojnë ta devijojnë të vërtetën nëpërmjet lajmeve të fabrikuara nga “portale” të paguara. Por e vërteta është kjo, ngjarja ka ndodhur jashtë clubit dhe oficeri pasi ka konstatuar sherrin ku po dhunoheshin dy persona ka ndërhyrë për t’i shpëtuar
Çfarë ndodhi te Orange Club në Sarandë? Bodigardët qëllojnë oficerët e policisë, plasin arrestimet
Lincimi dhe sulmi ndaj punonjësve të Policisë është vepër penale. Policia e Shtetit duhet të marrë në mbrojtje oficerët e saj dhe, në qytete ku policët sulmohen, duhet të shtojë forcat dhe të tregojë qartë se mbi ligjin nuk është askush.
Uniforma e Policisë nuk mund të kthehet në shënjestër të kujtdo që mendon se pushteti, paratë apo grupet kriminale e vendosin veten mbi shtetin. Nëse duam rend dhe siguri, Policia duhet mbështetur kur kryen detyrën dhe çdo sulm ndaj efektivëve duhet të marrë përgjigjen që parashikon ligji.
