‘Zvërneci’, Rama: Investim 4 mld € nga Katari, Pishë-Poro zonë e mbrojtur kategoria 5 që lejon ndërtimin
Kryeministri Edi Rama për herë të parë foli për akuzat e ngritura lidhur me resortin në Zvërnec dhe dhunën e ushtruar ndaj protestuesve të shtunën, ku njëri prej tyre u tërhoq zvarrë nga rojet e një kompanie private sigurie. I ashpër u tregua me këtë episod, duke i distancuar nga dhuna dhe duke i thënë Policisë së Shtetit se dy rojet private që morën zvarrë qytetarin duhet t’i kishin arrestuar në vend.
“Dua ta nis me një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjithë ata që janë revoltuar dhe janë rreshtuar edhe kundër meje personalisht pasi panë aktin e neveritshëm kundër njërit prej protestuesve në Zvërnec. Ju kam dëgjuar e lexuar, ju kuptoj shumë mirë, ju siguroj që në vendi tuaj edhe unë po njësoj do të revoltohesha dhe do të rreshtohesha kundër qeverisë dhe kryeministrit, sidomos, sepse do të më dukej e tmerrshme që disa roje private sigurie në sytë e policisë së shtetit tim, pas një gardhi me tela me gjemba, të ulërinin si kafshë dhe të merrnin nga jashtë brenda një njeri në të drejtën e vet, ta tërhiqnin zvarrë nëpër plazhin e rrethuar dhe pastaj policia të thoshte që i zvarrituri u fut vetë në pronën private dhe ta relativizonte dhunën, ndërkohë që duhet t’i kishte arrestuar aty në vend ata që e morën zvarrë protestuesin”, tha Rama.
Kryeministri Rama hodhi poshtë aludimet që toka iu është falur izraelitëve, duke thënë se toka private i është shitur nga vetë pronarët investitorëve nga Katari.
Kreu i qeverisë deklaroi se Laguna nuk preket, duke theksuar se zona e Pishë-Poros për të cilën është protestuar gjatë fundjavës është zonë e mbrojtur e nivelit 5, por lejohen ndërtimet.
Kryeministri theksoi se kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, ende nuk ka leje ndërtimi, pasi po bëhet studimi mjedisor. Por, kompanisë në fjalë i është dhënë leja e zhvillimit, çka i lejon edhe rrethimin e pronës.
Ai thotë se ka mbetur i çuditur nga deklarata e Ministrisë së Jashtme të Greqisë duke sqaruar se ajo që ndodhi të shtunën nuk ishte dhunë shtetërore por nga rojet private. Rama tha se agresorët duhet të ishin arrestuar menjëherë.
