Autore: Eneda Jakimi
Në një realitet ku shkeljet e të drejtave themelore dhe mungesa e llogaridhënies institucionale vazhdojnë të prekin veçanërisht grupet më të cenueshme, arti po shfaqet gjithnjë e më shumë si një formë rezistence dhe ndërgjegjësimi shoqëror. I tillë është edhe arti që bën Xhekson Çela. Përmes novelës grafike, ai sjell një qasje alternative komunikimi, duke e kthyer artin pamor dhe tregimin narrativ në mjete për të denoncuar abuzimet, për të nxitur reflektim dhe për të forcuar qytetarinë aktive.
“Kam vendosur t’i trajtoj këto tema duke parë një hendek në trajtimin e tyre përmes këtij mediumi komunikimi. Të drejtat e njeriut janë të lidhura me besimet, parimet dhe punën time dhe përbëjnë interes publik”, u shpreh Xhekson Çela.
I formuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe Politika Publike në Central European University, Çela ndërthur dijen juridike me pasionin për artin vizual dhe shkrimin. Krijimtaria e tij reflekton angazhimin shumëvjeçar në fushën e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe mbrojtjes së komuniteteve të margjinalizuara, veçanërisht komunitetit rrom.
“Që fëmijë kam pasur pasion për novelat grafike dhe comics. Gjatë arsimit 8-vjeçar vizatoja portrete të shkrimtarëve të Rilindjes. Një nga synimet e mia të hershme ka qenë të bëhem autor i një novele grafike me tema shoqërore.”
Temat që trajton në novelat grafike lidhen drejtpërdrejt me shkeljet e të drejtës për jetë, dinjitet dhe liri, si dhe me konceptet e demokracisë, pjesëmarrjes qytetare dhe përgjegjshmërisë së qeverisjes vendore. Në një gjuhë të thjeshtë dhe të aksesueshme, veprat e tij synojnë të edukojnë veçanërisht të rinjtë mbi të drejtat që u garanton sistemi demokratik dhe mbi rëndësinë e reagimit kolektiv përballë padrejtësive.
“Përpiqem që lexuesit, veçanërisht të rinjtë, të edukohen që në moshë të hershme me koncepte si demokracia, pjesëmarrja dhe mobilizimi komunitar, si dhe llogaridhënia institucionale.”
Një ndër veprat më domethënëse trajton Holokaustin dhe gjenocidin ndaj komuniteteve të ndryshme, duke e vendosur këtë temë në kontekstin e sotëm, ku ideologjitë ekstremiste vazhdojnë të rishfaqen. Përmes përvojave personale dhe vizitave në kampet e përqendrimit Aushvic dhe Birkenau, autori ndërton një narrativë që shërben si kujtesë historike dhe paralajmërim shoqëror.
“Holokausti duhet trajtuar vazhdimisht që historia të mos përsëritet. Ende sot shohim elementë të ideologjive naziste dhe një mungesë të theksuar njohurish tek të rinjtë për këto ngjarje.”
Për Çelën, mesazhi edukues është thelbi i çdo krijimi. Novela grafike nuk shërben vetëm si formë arti, por si instrument ndërgjegjësimi që ekspozon shkeljet e të drejtave të njeriut, nxit kërkesën për llogaridhënie institucionale dhe promovon qeverisjen e përgjegjshme në nivel lokal. Në një shoqëri ku informacioni shpesh mbetet teknik dhe i paarritshëm për publikun e gjerë, ky medium arrin të thjeshtojë koncepte komplekse dhe t’i sjellë ato pranë qytetarëve.
“Nëse nuk kam një mesazh edukues për të ndarë, nuk kam për çfarë të shkruaj. Hapësira publike është përgjegjësi dhe nuk mund të abuzohet me të.”
Planet e ardhshme përfshijnë trajtimin e dhunës me bazë gjinore, diskriminimit dhe historisë kulturore të komunitetit rrom, duke e pozicionuar artin si një zë të qëndrueshëm në mbrojtje të të drejtave dhe demokracisë funksionale.
“Po punoj mbi dhunën me bazë gjinore, diskriminimin dhe trashëgiminë kulturore të komunitetit rrom, si pjesë e përpjekjes për ta përdorur artin si mjet kundër padrejtësive.”
Intervista e plotë me Xhekson Çela
Kush është Xhekson Çela dhe çfarë ju ka frymëzuar të merreni me art dhe shkrim?
Xhekson Çela ka studiuar Drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe Politika Publike në Central European University. Ai është i specializuar në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe barazinë gjinore. Që në fëmijëri ka pasur pasion për novelat grafike, comics dhe artin pamor, pasion i cili e ka shoqëruar deri më sot dhe është shndërruar në mjet shprehjeje artistike dhe shoqërore.
Cilat janë temat kryesore që trajtoni në novelat tuaja grafike?
Kryesisht trajtoj të drejtat e njeriut, veçanërisht të drejtën e jetës, dinjitetit dhe lirisë, demokracinë, pjesëmarrjen qytetare dhe mobilizimin komunitar. Së fundmi kam trajtuar edhe të drejtat sociale e kulturore dhe trashëgiminë e komunitetit rrom në rajonin e Myzeqesë.
Pse keni zgjedhur të trajtoni të drejtat e njeriut përmes këtij mediumi?
Sepse ekziston një hendek në trajtimin e këtyre temave përmes artit grafik. Të drejtat e njeriut janë pjesë e punës dhe besimeve të mia dhe përbëjnë interes publik, veçanërisht për grupet më të rrezikuara në shoqëri.
Çfarë ju shtyu të trajtoni Holokaustin në një nga veprat tuaja?
Holokausti duhet trajtuar vazhdimisht që historia të mos përsëritet. Ende sot shohim rishfaqje të ideologjive ekstremiste dhe mungesë njohurish tek të rinjtë për këto ngjarje tragjike, gjë që më ka shtyrë ta trajtoj këtë temë edhe përmes artit dhe edukimit.
Sa i rëndësishëm është mesazhi edukues në krijimtarinë tuaj?
Është thelbi i saj. Nëse nuk kam një mesazh edukues dhe shoqëror për të ndarë, nuk kam arsye të shkruaj. Hapësira publike është përgjegjësi dhe nuk duhet abuzuar me të.
Si i kombinoni ilustrimet me tregimin për të përcjellë mesazhe të forta shoqërore?
Punoj shumë me narrativën dhe kompozimin, ndërsa ilustrimet realizohen nga piktori ilustrues. Ato duhet të jenë dinamike, të lidhura mes tyre si fragmente filmi, në mënyrë që mesazhi të dalë natyrshëm dhe jo mekanikisht.
Cilat kanë qenë sfidat kryesore gjatë krijimit dhe publikimit të novelave grafike?
Sfidat kryesore kanë qenë koordinimi, bashkëpunimi me ilustruesit dhe mungesa e financimit. Megjithatë, produkti final i justifikon të gjitha vështirësitë.
Si ka reaguar publiku ndaj veprave tuaja?
Reagimet kanë qenë shumë pozitive, si nga lexuesit ashtu edhe nga botuesit, të cilët e kanë vlerësuar veçanërisht volumin dhe temat e trajtuara.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Po punoj mbi dhunën me bazë gjinore, diskriminimin, kundërpërgjigjen ndaj ideologjive ekstremiste dhe trashëgiminë kulturore të komunitetit rrom.
Me çfarë merreni aktualisht, përveç artit dhe shkrimit?
Punoj si specialist i barazisë gjinore
