Zjarri që nxori në pah problemet e ndërtimit në Tiranë
Një ditë pas zjarrit që përfshiu një pallat 12-katësh në kompleksin “Arlis”, te “Farmacia 10” në rrugën e Dibrës, hetimet kanë prodhuar rezultatet e para: katër persona janë arrestuar dhe katër të tjerë janë vënë nën hetim për shkelje të rregullave të sigurisë në punë dhe shkatërrim prone nga pakujdesia.
Policia njoftoi sot se administratori i kompleksit, menaxherja e një marketi në katin e parë të godinës, inxhinieri drejtues i punimeve dhe administratori i kompanisë që ka realizuar fasadën janë arrestuar. Ndërkohë, janë nisur hetime edhe ndaj pronarit të kompleksit, ndërtuesit dhe punonjësve të marketit.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri dyshohet të ketë nisur në ambientet e pasme të marketit, ku ishin grumbulluar mbeturina dhe nuk ishin marrë masa për largimin e tyre. Po ashtu, administratori i kompleksit dyshohet se nuk kishte kryer kontrollin e funksionalitetit të sistemeve të mbrojtjes nga zjarri.Bilanci mbetet i rëndë, 11 persona të lënduar dhe dhjetëra familje që tashmë përballen me dëme të konsiderueshme materiale. Por përtej përgjegjësive individuale që po hetohen, dinamika e zjarrit ka ngritur një problem më të thellë, mënyrën se si ndërtohen dhe kontrollohen ndërtesat në Tiranë.
Mungesa e rregullave dhe kontrollit
Edhe pse shkaku fillestar lidhet me një burim të mundshëm aksidental, shpejtësia me të cilën flakët përfshinë fasadën dhe u përhapën vertikalisht ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e strukturës në kompleksin “Arlis” dhe vetë mënyrën se si ndërtohen fasadat e pallateve të reja.
Fasada ishte e veshur me materiale termoizoluese si poliuretani, i përdorur gjerësisht për eficiencë energjie. Ky material nuk është i ndaluar, por në kushte zjarri vepron si përshpejtues i flakëve, duke i shpërndarë ato nga kati në kat.
Ndërkohë, duhet thënë se ngjarja nuk është e izoluar. Pesë vite më parë, fasada e një pallati tjetër në të njëjtin kompleks u përfshi nga flakët gjatë ndërtimit, pa sjellë masa parandaluese të dukshme.
Ekspertët theksojnë se problemi nuk qëndron vetëm te materiali, por te mungesa e një kuadri të qartë ligjor për përdorimin e tij.
Urbanistja Doriana Musai shpjegoi për Citizens.al se materiale të tilla si poliuretani përshpejtojnë përhapjen e flakëve dhe e bëjnë ndërhyrjen e zjarrfikësve shumë të vështirë.
“Ne nuk kemi marrë asnjë masë për ndalimin e materialeve të tilla në fasada. Evropa e ka të kontrolluar se ku mund të përdoren ose i projekton ato në mënyrë që, në rast zjarri, të kenë mundësi të vetë-izolohen,” shpjegoi ajo.
Ervin Mici, inxhinier i mbrojtjes nga zjarri, vlerëson se më shumë se 90% e godinave në Tiranë përmbajnë materiale potencialisht të rrezikshme.
“Mungesa e rregullave dhe kontrollit krijon një situatë ku çdo material mund të përdoret pa kufizim real,” tha ai për Citizens.al duke vënë në diskutim mënyrën se si është ndërtuar në Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit.
Mici shtoi se së fundmi ai dhe ekspertë të tjerë të fushës së ndërtimit kanë qenë pjesë e takimeve të vazhdueshme me Ministrinë e Brendshme për hartimin e një protokolli që synon të rregullojë shumë boshllëqe ekzistuese, një prej të cilave edhe çështjen e klasifikimit të materialeve.
“Akoma nuk e dimë nëse do të jetë ligj, VKM apo udhëzim. Është diçka që ende nuk është vendosur dhe do kohë që të finalizohet,” shtoi ai.
Përgjegjësi individuale apo problem sistemi?
Arrestimet e bëra nga Policia sugjerojnë për një zinxhir të gjerë përgjegjësish, nga menaxhimi i përditshëm i godinës, te ndërtimi dhe projektimi i saj.
Megjithatë, ekspertët argumentojnë se përgjegjësia nuk mund të reduktohet vetëm te individët.
Sipas legjislacionit, çdo ndërtim duhet të ketë projektues dhe supervizor që miratojnë materialet. Në praktikë, sipas Ervin Micit, këto role mbeten formale, ndërsa vendimet reale merren nga investitorët apo ndërtuesit.
“Ne e dimë se në Shqipëri vendimet i merr zakonisht pronari, por ai është administrator, jo drejtues teknik. Është drejtuesi teknik ai që duhet të vendosë, ndërsa supervizori realisht është thjesht teknik në Shqipëri,” vuri në dukje Mici duke nënkuptuar se në këtë mënyrë përgjegjësia nuk adresohet.
Në një reagim publik për ngjarjen, kryeministri Edi Rama deklaroi se pallati i djegur do të rindërtohet nga ndërtuesi, duke theksuar se kjo do të bëhej pavarësisht se shkaku i zjarrit nuk lidhej me të.
Por për ekspertët, kjo qasje nuk adreson problemin thelbësor, standardet e ndërtimit dhe kontrollin mbi materialet, aspekte që duket se nuk janë adresuar prej kohësh nga institucionet që mbeten në diskutim për protokollet e ndërtimit dhe sigurisë nga zjarri.
Ngjarja në kompleksin e “Arlisit” i shtohet një serie incidentesh të ngjashme në Tiranë, përfshirë rastin te i njëjti kompleks në vitin 2021, apo dhe atë në zonën e Parkut të Autobusëve në vitin 2023, që nuk solli ndryshime të dukshme në standarde.
Përsëritja e këtyre rasteve sugjeron një problem strukturor, ku rreziku nuk është përjashtim, por pjesë e modelit të ndërtimit.
Në këtë kontekst, pyetja nuk është më vetëm se kush e shkakton zjarrin, por nëse ky rast do të çojë në ndryshime reale, apo do të mbetet një tjetër episod që mbyllet me përgjegjësi formale dhe pa reformë të mirëfilltë.
