2800 ton mbetje të Kurum ende në Porto Romano
Në zonën e Porto-Romanos në Durrës, shqetësimi i banorëve vazhdon, pasi mijëra tonelata mbetje të rrezikshme të depozituara që prej nëntorit të vitit 2024 ende nuk janë larguar nga zona.
Kontejnerët me mbi 2800 ton mbetje të rrezikshme vazhdojnë të qëndrojnë pranë banesave të dhjetra familjeve, shumë pranë objektit të njohur si Eco Parku i Porto-Romanos. Banorët thonë se prania e tyre ka kthyer frikën në pjesë të përditshmërisë.
Gani Braho, 67 vjeç, i cili jeton rreth 40 metra larg vendit ku janë vendosur kontejnerët, thotë se shqetësimi për shëndetin e familjes së tij është i vazhdueshëm.
“Kam frikë për shëndetin e familjes, por nuk kam se ku të shkoj,” tha ai. “Asnjëherë nuk jemi ndjerë pjesë e qytetit, edhe pse jemi afër tij. Tani kemi mbetjet pranë derës.”
Zona ku jeton Braho është pjesë administrative e Katundit të Ri dhe aty banojnë dhjetra familje që janë vendosur dekada më parë, kryesisht pasi u zhvendosën nga veriu i vendit në kërkim të një jete më të mirë.
Sipas të dhënave të hetimit, kontejnerët përmbajnë mbetje të prodhuara nga hiri i oxhaqeve të kompanisë së prodhimit të çelikut Kurum. Analizat laboratorike të kryera në Itali kanë treguar se bëhet fjalë për pluhur nga furra elektrike e çelikut, një material që klasifikohet si mbetje e rrezikshme për shkak të përmbajtjes së metaleve të rënda si zinku, hekuri, plumbi dhe bakri.
Këto mbetje shkaktuan alarm ndërkombëtar pasi, sipas Prokurorisë së Durrësit, ato u eksportuan në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe konventat ndërkombëtare për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme. Kontejnerët u sekuestruan pasi u kthyen në Shqipëri dhe u depozituan në zonën e Porto-Romanos, ku vazhdojnë të qëndrojnë edhe sot.
Halit Braha, 70 vjeç, i cili u vendos në Porto-Romano rreth 30 vite më parë pasi u zhvendos nga Kukësi për shkak të përmbytjeve, thotë se familja e tij është përballur vazhdimisht me probleme.
“Më parë kishim problemin e kanalizimeve. Sa herë bllokoheshin, përmbytej zona dhe sillnin ndotje. Tani na kanë sjellë mbetjet tek dera, që një Zot e di se çfarë janë,” tha ai.
Sipas tij, banorët nuk janë informuar zyrtarisht për përmbajtjen e mbetjeve dhe rrezikun që ato mund të paraqesin për shëndetin e tyre.
“Kemi protestuar disa herë, por askush nuk ka dhënë zgjidhje dhe nuk na shpjegon asgjë,” shtoi Braha, duke theksuar se informacionet i kanë marrë kryesisht përmes mediave.
Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit ka lëshuar dhjetra urdhër-arreste për drejtues të kompanive të përfshira në eksportin e mbetjeve, si dhe për zyrtarë të institucioneve shtetërore, për akuza që lidhen me kontrabandë mbetjesh të rrezikshme, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.
Vetëm pak metra larg kontejnerëve ndodhet edhe Eco Parku i Porto-Romanos, një investim publik i ndërtuar mbi një ish-fushë mbetjesh dhe i hapur për qytetarët si hapësirë rekreative.
Megjithatë, për banorët e zonës, prania e mbetjeve të rrezikshme pranë shtëpive ka zbehur çdo efekt pozitiv që mund të kishte hapja e parkut.
Edhe pas protestave të përsëritura, ata thonë se ende nuk kanë marrë një përgjigje të qartë për fatin e mbetjeve apo për rrezikun që ato paraqesin.
“Nuk kemi marrë asnjë informacion zyrtar,” tha Halit Braha. “Vetëm nga televizori kemi dëgjuar se janë të rrezikshme.”
Ndërsa kontejnerët vazhdojnë të qëndrojnë në Porto Romano, për banorë si Gani Braho shqetësimi mbetet i përditshëm.
“Kur i shoh kontejnerët aty, mendoj për fëmijët dhe nipërit,” tha ai. “Por nuk kam ku të shkoj tjetër.”
Erdal Demir Administratori i “Kurum International” në arrest me burg
Yusuf Sezai Kurum Administrator me prokurë i “Kurum” në arrest me burg
Gjovana Sokolaj Pronare e kompanisë “Sokolaj” në arrest me burg
Doni Sokolaj Administrator i kompanisë D.o.o Minerals në arrest me burg
Olizana Pemati Ish- administratore e kompanisë “Sokolaj” në arrest me burg
Mujo Ilazaj Drejtori i Transportit në kompaninë “Kurum” në arrest me burg
Rami Bunga Specialist pranë zyrës së mjedisit në “Kurum” në arrest me burg
Harun Sarica Drejtori i prodhimit të çelikut në “Kurum” në arrest me burg
Arif Shkalla Drejtues në kompaninë “Kurum” në arrest me burg
Shaban Hyseni Drejtor i departamentit te shitjeve në “Kurum” në arrest me burg
Mirjeta Zotaj Kontabiliste e kompanisë “Sokolaj” në arrest shtëpiak
Mikail Hila Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition” në arrest me burg
Mbarime Koroci Aksionere e kompanisë “Alliance Resource” në arrest me burg
Nazif Bajrami Pronar i kompanisë “Bajrami N” në arrest me burg
Andon Prifti Administrator i kompanisë “Bajrami N” në arrest me burg
Petrit Qosja Person fizik në tregtinë e mbetjeve në arrest me burg
Julian Kapedani Dega e Doganës Durrës në arrest me burg
Indrit Likaj Dega e Doganës Durrës në arrest me burg
Helidon Lila Dega e Doganës Durrës në arrest me burg
Edmond Voda Dega e Doganës Durrës në arrest me burg
Shkëlqim Jakupi Dega e Doganës Durrës në arrest me burg
Florian Çimo Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO në arrest me burg
Gazmend Sina Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO në arrest me burg
Ingo Hesse, administrator i kompanisë EMS APO në arrest me burg
Arta Dollani Ish- drejtoresha e Përgjithshme e AKM në arrest shtëpiak
Marjeta Përlala Drejtoresha aktuale e AKM në arrest shtëpiak
Dritan Seferaj Drejtoria e Inspektim- Kontrollit, AKM në arrest me burg
Kledina Skendo Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak
Bujana Tonçiça Sektori i lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak
Evis Mellonashi Sektori i lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak
Kejdi Ahmetaj Drejtoria e Inspektimit, AKM në arrest me burg
Iva Musa Inspektore e Autoritetit Portual Durrës, arrest shtëpiak
Xhulio Golgota Inspektor i Autoritetit Portual Durrës, arrest me burg
