Shpërthimi te karburanti “Eida” në Brryl: Policia shoqëron administratorin.
Katër persona janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje në kuadër të hetimeve për shpërthimin e fuqishëm që ndodhi mëngjesin e sotëm në pikën e karburantit “Eida” në zonën e Brrylit, në Tiranë.
Personat e shoqëruar nga forcat e rendit janë drejtuesi i automjetit që po furnizohej me gaz në momentin e shpërthimit, menaxheri i pikës, administratori si dhe drejtuesi teknik. Këto shoqërime janë kryer me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore për incidentin, i cili la të plagosur tre punonjës dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas të dhënave paraprake nga Policia, dyshohet se shpërthimi ka ndodhur gjatë procesit të furnizimit të mjetit me lëndë djegëse, ndërkohë që në ambientet e pikës kishte prani të rrjedhjes së gazit.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të të dëmtuarve, tre punonjësit e karburantit janë transportuar menjëherë në Spitalin Universitar të Traumës. Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë, parametrat e tyre janë të stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

