Shpërthim i fuqishëm në karburantin “Eida” te Brryli, plagosen 3 punonjës – shembet godina.
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure në zonën e Brrylit, në një pikë karburanti “Eida”, e cila ndodhet mes dy pallateve.
Sipas policisë, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi gjatë kohës që një automjet po furnizohej në pikën e karburantit.
Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar tre punonjës të karburantit. Ata janë transportuar në spitalin e Traumës për të marrë ndihmën mjekësore dhe, sipas autoriteteve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa godina njëkatëshe e objektit është shembur.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë dhe forcat zjarrfikëse, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e sakta të shpërthimit.
Policia bëri me dije se vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

