Ra në përgjime! Si e bleu Samir Mane heshtjen e SPAK
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në kohën e burgosjes së Ilir Metës kanë nxjerrë në dritë një skemë të dyshuar korrupsioni pasiv dhe aktiv, ku në qendër qëndron përfitimi i paligjshëm i pasurive të paluajtshme në këmbim të favoreve legjislative.
Sipas dosjes hetimore, dyshohet se biznesmeni Samir Mane ka korruptuar ish-presidentin përmes kalimit të pronësisë së një vile luksoze në kompleksin “Rolling Hills”.
Sipas përgjimeve në dosje Samir Mane i ka ofruar Metës një vilë për kalimin e ligjeve specifike në favor të bizneseve të tij, veçanërisht në sektorin minerar dhe atë të investimeve strategjike.
Në përgjime dalin bashkëshortet respektive, Monika Kryemadhi dhe Eva Mane.
Ky rast shënon një precedent të rëndësishëm, pasi godet drejtpërdrejt simbiozën mes fuqisë ekonomike të oligarkisë dhe vendimmarrjes politike, duke e zhvendosur fokusin e SPAK drejt “peshqve të mëdhenj” të të dyja kampeve.
A bëhet fjalë thjesht për një vilë? Jo. Bëhet fjalë për mënyrën se si burimet publike dhe ligjet e vendit tjetërsohen në tavolina private.
Meta u arrestua. Mane jo.
Ligji parashikon që edhe pasivi edhe aktivi në një akt korrupsioni janë njësoj fajtor. Nëae jo i pandehur si Meta, a duhej se paku të ishte thirrur Samie Mane në Prokurorinë e Posaçme ai “dëshmitar” për këtë material?
Nëse SPAK nuk e thërret të paktën për të dëshmuar një figurë që përmendet kaq dendur dhe kaq qartë në një dosje arrestimi, kjo dëmton besueshmërinë morale të institucionit.
Nuk mund të kemi korrupsion me një palë. Nëse ka një përfitues të paligjshëm, ka detyrimisht një dhënës të paligjshëm. Mungesa e këtij ekuilibri e kthen drejtësinë në një mjet për “pastrimin” e klasës politike, por jo për shërimin e sistemit nga ndikimi i parave të pista.
Duhet parë në vijimësi nëse kjo “mungesë guximi” për të prekur majat e biznesit është thjesht çështje kohe, apo SPAK ka vendosur një vijë të kuqe që nuk do ta kalojë.
Ndërkohë dihen pasojat nëse drejtësia tenton të jetë “kirurgjikale”, duke hequr politikanin nga skena, por nuk prek motorin ekonomik që qëndron pas tij. Kjo krijon një lloj amnistie de facto për oligarkinë. Nëse biznesi e kupton që mund të korruptojë pa u ndëshkuar, atëherë sistemi i ryshfetit nuk ndalet kurrë, thjesht ndërron partnerët politikë.
Sic edhe ka ndodhur me z.Mane.
Dikush do thotë: E ç’janë 800 mijë apo 300 mijë euro për korrupsionin legjendar shqiptar? Por besimi nuk thyhet nga shuma. Ajo që duhet kuptuar është zbulimi prej këtij rasti përgjimesh i një sistemi që ka operuar në hije për një kohë të gjatë.
Ekziston një rrëfim i njohur në botën e krimit. Një djalë i rritur në varfëri pyet të atin pse e dëboi me aq ashpërsi punëtorin më besnik, i cili u kap duke vjedhur vetëm 10 dollarë pas dekadash shërbimi.
Përgjigja ishte e thjeshtë, por edhe domethënëse: “Nuk ishte hera e parë që vidhte. Ishte hera e parë që u kap.”
Sot, kur emri i Samir Manes shfaqet në dosjet e SPAK si “dhuruesi” i dyshuar i një vile luksoze në këmbim të ligjeve që i qepin kostumin e favorshëm bizneseve të tij, pyetja që rri pezull është: A jemi përpara një “mëkati” fillestar, apo përpara një modeli pune që ka funksionuar në heshtje prej vitesh?
Nëse narrativa e prokurorisë qëndron, kjo vilë në “Rolling Hills” nuk është thjesht një objekt pasurie, por një monument i simbiozës korruptive. Në botën e biznesit të madh, lëvizje të tilla shumë rrallë janë incidente të izoluara. Ato janë një protokoll operimi, ku ligji nuk shihet si rregull i pathyeshëm, por si një mall që mund të blihet, tjetërsohet dhe modifikohet në këmbim të favoreve materiale.
Logjika e dhjetë-dollarëshit të vjedhur na fton të shohim përtej dosjes aktuale. Nëse një vilë u dha për një ligj, sa të tjera mund të jenë dhënë për koncesione, leje minerare apo statuse investitori strategjik nën mjegullën e viteve të kaluara?
Deri më sot, kjo marrëdhënie ka gëzuar imunitetin e “besnikërisë” së heshtur mes politikës dhe oligarkisë. Sot, perdja është grisur.
Ndaj pyetja nuk është nëse ky është korruptimi i parë. Është koha të kuptojmë nëse drejtësia e re do ketë guximin të trajtojë jo vetëm “hajdutin” që pranoi dhuratën, por edhe “dorën” që e ofroi atë.
Kjo është pjesë të një rituali të vjetër, që vetëm se u kap për herë të parë./GazetaDita
