Kush është Eduard Dushku, i forti i Saukut
“I forti i Saukut”, Eduart Dushku, është arrestuar në Rrugën e “Elbasanit” në Tiranë, teksa lëvizte me motor me një pistoletë dhe municion. Policia dyshon se 49-vjeçari do ta trafikonte armën, ndërsa në banesë iu gjet edhe një jelek antiplumb.
Dushku u ndalua gjatë operacionit të koduar “Eksponenti”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe forcat “Shqiponja”. Gjatë kontrollit të motomjetit, efektivët gjetën pistoletën me municion.
“Gjatë kontrollit në të, u gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, të cilën dyshohet se shtetasi E. D. do ta trafikonte. Më tej, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjet 1 jelek antiplumb”, njofton Policia.Arma, jeleku antiplumb, motori dhe celulari u sekuestruan, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë.
I njohur edhe me emrin Edison Dushku, 49-vjeçari është arrestuar disa herë. Në mars të vitit 2012, ai u ndalua si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Abdulla Vrapit, të ndodhur një vit më parë pranë Sanatoriumit në Tiranë.
Emri i tij u përmend edhe në hetimet për djegien e një automjeti dhe një shpërthim në një lokal në Saukun e Vjetër. Në vitet 2017 dhe 2018 u arrestua sërish, ndërsa në vitin 2020, Operacioni Forca e Ligjit i sekuestroi tre automjete dhe i kërkoi të deklaronte burimin e pasurisë.
Dushku është përmendur edhe për një transaksion prone me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

