69 milionë lekë të zhdukur nga Posta e Durrësit, dosja zbardh skemën e dyshuar me mandate fiktive dhe lëvizjet e parave nëpër zyra
Një skemë e dyshuar për përvetësimin e 69 milionë lekëve në Filialin e Postës Shqiptare në Durrës është zbardhur në dosjen hetimore të Prokurorisë, ku përmes dokumenteve kontabël, pamjeve filmike dhe deklarimeve të punonjësve përshkruhet mënyra sesi, sipas organit të akuzës, janë nxjerrë nga arka miliona lekë që nuk kanë mbërritur kurrë në destinacion.
Kallëzimi penal është depozituar nga Posta Shqiptare, pasi verifikimet e kryera nga një grup pune i ngritur nga Drejtoria e Përgjithshme konstatuan mospërputhje të konsiderueshme mes gjendjes kontabël dhe lëvizjes reale të fondeve në Filialin Durrës.
Sipas dosjes, gjatë muajve prill dhe maj 2026 janë prerë një seri mandat-pagesash në emër të degëve postare të Shijakut dhe Krujës, duke krijuar në sistem përshtypjen se këto degë kishin marrë fondet përkatëse.
Megjithatë, kontrolli në sistemin financiar të Postës rezultoi se këto shuma nuk janë regjistruar kurrë në arkat e degëve respektive.
Kjo do të thotë se fondet janë nxjerrë fizikisht nga arka qendrore e Durrësit, por nuk kanë mbërritur në destinacionin e deklaruar në mandat-pagesa.
Sipas Prokurorisë, vetëm nga kjo skemë rezulton një mungesë prej 69 milionë lekësh.
Çfarë zbuluan kamerat e sigurisë
Një pjesë e rëndësishme e dosjes mbështetet në pamjet filmike të kamerave të sigurisë të administruara nga hetuesit.
Në materialin hetimor përshkruhen me minuta dhe orë konkrete lëvizjet e punonjëseve të filialit.
Sipas dosjes, më 2 prill 2026, në orën 15:28, një thes me para i ardhur nga banka dorëzohet në arkë.
Pak minuta më pas, shefja e financës Valbona Duni e merr thesin dhe futet në zyrën e saj.
Më pas, sipas kamerave, thesin e çon në zyrën e drejtoreshës së filialit Elisabeta Mataj.
Në orën 15:39, sipas dosjes, drejtoresha largohet nga zyra me një qese transparente, përmbajtja e së cilës nuk mund të identifikohej nga pamjet filmike.
Po atë ditë rezulton të jetë prerë një mandat-pagesë prej 5 milionë lekësh për degën postare të Shijakut.
Skena të ngjashme, sipas Prokurorisë, përsëriten edhe më 14 prill, 15 prill, 20 prill, 24 prill, 30 prill, 7 maj, 8 maj, 21 maj dhe 29 maj, ku në çdo rast kamerat regjistrojnë marrjen e thasëve ose pakove me para nga arka dhe dërgimin e tyre drejt zyrave të drejtuesve të filialit.
Në të gjitha këto raste, sipas organit të akuzës, dokumentacioni kontabël shoqërohej me mandat-pagesa që figuronin si transferta për degët e Shijakut ose Krujës.
Dyshime edhe për firma të falsifikuara
Një tjetër element që rëndon dosjen janë firmat në mandat-pagesa.
Sipas Prokurorisë, në dokumentacion figurojnë nënshkrimet e arkëtareve të degëve të Shijakut dhe Krujës.
Megjithatë, gjatë hetimit ka lindur dyshimi se këto firma nuk janë autentike.
Në dosje thuhet se firmat e arkëtareve Flora Nexha dhe Valentina Guni dyshohet të jenë falsifikuar, ndërsa mandat-pagesat janë firmosur vetëm nga punonjëset e filialit të Durrësit para se fondet të dilnin nga institucioni.
Dëshmia që rëndon dosjen
Një nga provat më të rëndësishme të administruara deri tani është deklarimi i shefes së financës Valbona Duni, e cila ka pranuar se fondet janë nxjerrë nga arka me urdhër verbal të drejtoreshës.
Në dëshminë e saj ajo deklaron se shkonte tek arka, kërkonte përgatitjen e shumave sipas mandat-pagesave dhe më pas i merrte në zyrën e saj.
Sipas saj, aty vinte drejtoresha e filialit, numëronte paratë dhe i fuste në çantën personale.
Në disa raste, sipas deklarimit, fondet largoheshin të mbështjella edhe me rroba, ndërsa drejtoresha dilte menjëherë nga godina.
Valbona Duni ka deklaruar gjithashtu se vetëm në fillim të muajit qershor, kur kërkoi një transfertë nga dega e Shijakut, mësoi se mandat-pagesat nuk rezultonin të regjistruara në sistem.
Në atë moment, sipas saj, ka njoftuar drejtoreshën dhe më pas Drejtorinë e Përgjithshme të Postës Shqiptare.
Prokuroria: Dyshohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën
Në përfundim të materialit hetimor, Prokuroria arrin në konkluzionin paraprak se drejtoresha e filialit Elisabeta Mataj, shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana dyshohen se, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë përpiluar dokumentacion fiktiv për të justifikuar nxjerrjen e fondeve nga arka e Postës së Durrësit.
Sipas organit të akuzës, fondet ishin të destinuara për pagesa sociale dhe ndihmë ekonomike, por nuk kanë mbërritur në degët përkatëse.
Zhduken 3 milion euro, drejtoresha e Postës Elisabeta Mataj përfundon në Prokurori
Për këtë arsye, ndaj tyre është ngritur dyshimi për veprën penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, ndërsa hetimet vazhdojnë për të dokumentuar të gjithë mekanizmin e skemës së dyshuar dhe përgjegjësinë penale të secilit prej personave të përfshirë.

2 Komente
Pingback: Doganierë të përfshirë? Skandali në Postën Shqiptare, Elisabeta Mataj tentoi të fshihej: Çfarë u zbulua në TIMS
Pingback: Kamerat e sigurisë "fundosin" zyrtaret e Postës! Pamejt tregojnë lëvizjet e thasëve me para nga arka drejt zyrës së drejtoreshës