Grabitja që alarmoi Anglinë, Arilen Ndoci dhe Mirgen Doku u ndihmuan nga një person i tretë: Ia mbathi dhe i la brenda rezidencës
Zbardhen të tjera detaje nga hetimet për ngjarjen në rezidencën Anmer Hall në Angli. Arilen Ndoci, 32 vjeç, dhe Mirgen Doku, 34 vjeç, janë lënë në paraburgim, ndërsa një person i tretë, që dyshohet se ka pasur lidhje me grabitjen, vijon të jetë në kërkim.
Mediat britanike kanë publikuar detaje të reja nga dosja hetimore për ngjarjen në rezidencën Anmer Hall, në Norfolk të Anglisë, pronë që përdoret nga Princi William dhe bashkëshortja e tij, Kate.
Dy shqiptarët, Arilen Ndoci dhe Mirgen Doku, u paraqitën më 25 nëntor në Gjykatën e Magjistraturës në Norwich, ku u njohën me akuzat për hyrje në banesë me qëllim vjedhjeje dhe hyrje të paautorizuar në një zonë të mbrojtur.
Sipas pretendimeve të prokurorisë, ngjarja ndodhi mbrëmjen e 23 nëntorit, kur alarmi i sigurisë në pronë u aktivizua rreth orës 17:49. Tre persona dyshohet se janë parë duke iu afruar rezidencës.
Hetuesit pretendojnë se dy prej tyre janë ngjitur nëpërmjet tubave të kullimit të ujërave të shiut, kanë dëmtuar një dritare dhe kanë hyrë në ambientet e brendshme të banesës.
Nga prona dyshohet se janë marrë një orë dhe gjashtë palë kopsa manshetash, aksesorë dekorativë që përdoren për mbylljen e mëngëve të këmishave elegante. Mes tyre përmendet edhe një palë që lidhet me Dukën e Edinburgut.
PERSONI I TRETË, ENDE NË KËRKIM
Një nga elementët që mbetet ende i pazbardhur është roli i personit të tretë, i cili sipas prokurorisë dyshohet se ka qenë i përfshirë në ngjarje.
Ndryshe nga Arilen Ndoci dhe Mirgen Doku, të cilët janë arrestuar, personi i tretë nuk është kapur ende nga autoritetet britanike. Deri tani nuk është bërë publik identiteti i tij dhe as nuk janë dhënë detaje të plota mbi rolin që dyshohet se ka pasur.
Pas aktivizimit të alarmit, në kërkim u përfshinë efektivë policie, qen nuhatës, dronë dhe një helikopter. Dy shqiptarët u gjetën më pas në një zonë pyjore pranë pronës, pa këpucë, dhe u arrestuan.
ÇFARË PRITET TË NDODHË MË TEJ?
Arilen Ndoci dhe Mirgen Doku mbeten në paraburgim, ndërsa seanca e radhës është caktuar më 30 nëntor 2026, në Gjykatën e Magjistraturës në Norwich.
Në seancën e parë ata nuk dhanë deklarim nëse i pranojnë apo i mohojnë akuzat. Ndërkohë, prokuroria duhet të marrë edhe miratimin për vijimin e akuzës që lidhet me hyrjen e paautorizuar në një zonë të mbrojtur.
Hetimet vijojnë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse policia britanike do të arrijë të identifikojë dhe arrestojë edhe personin e tretë të dyshuar./Infonews.al

