Emërohet Ervin Hodaj, merr përfundimisht drejtimin e Policisë së Durrësit
Ervin Hodaj emërohet përfundimisht drejtor i Policisë së Durrësit, pas disa muajsh në komandim
Ervin Hodaj është emëruar përfundimisht në krye të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, pas disa muajsh gjatë të cilëve ai e ushtroi këtë detyrë me komandim.
Së bashku me Hodajn, emërim përfundimtar në detyrë kanë marrë edhe drejtues të tjerë që më parë ushtronin funksionin me komandim.
Hodaj mori drejtimin e Policisë së Durrësit në mënyrë të përkohshme pas largimit nga detyra të ish-drejtorit Afrim Tafa. Ndryshimi në drejtimin e policisë së qarkut erdhi pas një aksidenti të rëndë në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos një tjetër.
Pas kësaj ngjarjeje, drejtuesi i Policisë së Shtetit ndërmori masa ndaj zinxhirit drejtues të Policisë së Durrësit dhe Ervin Hodaj u komandua në krye të Drejtorisë Vendore, detyrë që e ushtroi për disa muaj deri në emërimin e tij përfundimtar.
Kush është Ervin Hodaj?
Ervin Hodaj është një drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, me një karrierë të gjatë në strukturat e luftës kundër krimit dhe narkotikëve. Ai ka shërbyer më herët në poste drejtuese në disa struktura policore, përfshirë drejtimin e Policisë së Shkodrës dhe detyrën e drejtorit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale.

