E PLOTË/ Si ndodhi grabitja e FiBank, autori brenda bankës: Dua 40 mijë euro…ose…aq sa keni…
Një 58-vjeçar, nën kërcënimin e kallashnikovit, grabiti një bankë të nivelit të dytë në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë. Në tentativë për t’u larguar, u neutralizua nga policia, e cila u njoftua nga një klient i bankës. Bardhyl Fusha nga Gramshi, arrestohet nga forcat e Rendit të Komisariatit nr. 2. I pamaskuar e në kurth nga prita e policisë, 58-vjeçari sipërmarrës në ndërtim, në pamundësi për t’u larguar pasi blutë i drejtuan armën, u dorëzua pa rezistencë. Autori i dyshuar është i prangosur në makinën e policisë, drejt rrugës për në komisariat.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:15 në rrugën “Muhedin Llagami”, që lidh Rrugën e Kavajës me urën e ish-Nesharakut, zonë e frekuentuar dukshëm në atë orar.
Bardhyl Fusha hyri në bankë i qetë, me një çantë në dorë. Brenda saj fshihte kallashnikovin, të cilin fillimisht e nxori dhe qëlloi njëherë në dysheme pranë arkës, në një kohë që brenda kishte punonjës dhe klientë.Fusha kërkoi fillimisht 40 mijë euro, më pas 20 mijë, dhe në fund mori aq sa I dhanë punonjësit e FiBank.
Nën kërcënim, te arka mori paratë dhe tentoi të largohej përmes derës nga e cila hyri.
Jashtë e priste policia. Një qytetare, e cila ndodhej brenda bankës telefonoi sallën, dhe një patrullë që ishte pranë, shkoi menjëherë. Fillimisht grabitësi ngriti duart lart, dorëzoi armën dhe në fund u prangos. Brenda në çantë iu gjetën paratë e grabitura, rreth 1 milionë lekë (10 mijë euro), të cilat u sekuestruan.
Në bankë ka vepruar i vetëm, por po punohet për verifikimin e plotë, nëse ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë. I marrë në pyetje, Bardhyl Fusha deklaron se është i zhytur në borxhe për këtë arsye kishte vendosur të grabiste bankën.
