Toka mbi të cilën u ndërtuan 10 vilat e drurit, në Theth, mësohet se i përket Kishës së Thethit dhe është pronë e saj. Kisha e Thethit është një kishë katolike në Theth të rrethit të Shkodrës, e ndërtuar në vitin 1892. Kisha ka qenë një nga ndërtimet e para në këtë vendbanim, ku banonte edhe famullitari i kishës, At’Shtjefen Gjeçovi, i cili në vitin 1917 hapi edhe shkollën duke qënë edhe mësues i fëmijëve, traditë që ndoqën edhe priftërinjtë e tjerë të kësaj kishe.

Por si duket Prek Kodra i cili sipas dyshimeve të policisë është pas ndërtimit të këtyre vilave nëpërmjet disa lidhjeve të tij ka mundur që të zaptojë këtë tokë. Mësohet se për këtë truall ka pasur edhe kërcënime ndaj Kishës Katolike për sa i përket pretendimeve për pronësinë.
Lene Prroni është e moshuara që dyshohet se është përdorur nga i kërkuari i drejtësisë Prek Kodra për ngritjen e 10 kapanoneve pa leje ne tokën që ajo pretendon se e ka trashëguar nga të parët e saj.
Ky i fundit dyshohet se ka investuar për vendosjen në mënyrë të paligjshme të këtyre objekteve që përdoren për turizëm me qëllim përfitim monetar, por në letra rezulton emri i të moshuarës. Ndërkohë që ky biznes turistik i ngritur kundër ligjit, administrohet nga djali i saj.
Ndërkohë policia po heton edhe dy vëllezër të cilët dyshohet se kanë ndërhyrë nëpërmjet Lene Prronit për tokën ndërsa po këto dy vëllezër dyshohet se kanë ngritur për Prekë Kodrën 10 vilat e drurit.

Por kush është Prek Kodra?
Më 26 Nëntor të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) do njoftonte se kishte lëshuar 21 masa sigurie, në kuadër të hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, ku përfshiheshin anëtarët e grupi krimal, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyrë gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.

Mes personave për të cilët SPAK ka lëshuar urdhër arresti ishte edhe ‘snajperisti’ nga Shkodra, Prekë Kodra, i cili akuzohet se tentoi t’i bënte atentat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Plani për eliminimin e kreut të qeverisë së Kosovës u zbulua në një e-mail sekret të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano në shtator 2022.
Prekë Kodra është shpallur në kërkim dhe për dosjen “Metamorfoza’. Emri i tij doli dhe në përgjimet Sky ECC ku u zbuluan lidhjet e grupit “Bajri’, biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe lidhjet me shefin e operacionales në polici Oltion Bistri e prokurorit Xhevahir Lita. Por në dosjen e SPAK, ende nuk dihet roli i tij konkret. Gjithashtu ai del edhe në përgjimet në SKY ECC me kreun e organizatës së Elbasanit, Suel Çela (Marjus Lulaj), në një bisedë ku ky i fundit e paralajmëronte që të mos i kishte besë Bajrave të Shkodrës.
Në dosjen e SPAK zbulohet se ‘marisni’ që Suel Çela ‘rekrutoi’ me pagesë për të vrarë rivalin e tij Ardian Çapja disa vite më parë, është Prekë Kodra. Ky i fundit është i dyshuar dhe për vrasjen e Kastriot Reçit, krim i ndodhur më 7 janar 2020, por dhe për vrasje të tjera.
Sipas të dhënave të policisë Prekë Kodra jetonte në Shkodër, ndërsa vepronte në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës. Sipas Policisë Shqiptare, ky person është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai ka qenë i shpallur në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Kodra konsiderohej si person me rrezikshmëri të lartë.
