Bie zjarr tek 15 katëshi, flakët brenda Hotel Tirana
Një zjarr ka rënë në katin e katërt të godinës së njohur si “Hotel Tirana”, një ndër objektet më të njohura shumëkatëshe në Tirana. Ngjarja ka shkaktuar alarm te banorët dhe kalimtarët në zonë, ndërsa shërbimet zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë për të vënë situatën nën kontroll.
Hoteli, i njohur ndryshe si “15-katëshi”, është në pronësi të biznesmenit Ram Geci, i cili më herët është përmendur në hetime nga SPAK.
Sipas burimeve paraprake, nuk dihen ende shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ende nuk ka informacion të konfirmuar për persona të lënduar, ndërkohë që dëmet materiale mbeten për t’u vlerësuar.
Policia dhe grupet hetimore ndodhen në vendngjarje dhe pritet një njoftim zyrtar në vijim.
