Babai i armatimeve, kush është Ylli Zalla?
Ylli Zalla, 49 vjeç, person me precedentë të mëparshëm penalë, rezulton i shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025, pas zbulimit të një arsenali armësh në banesën e tij, në kuadër të hetimeve për atentatin e ndodhur në afërsi të Rinas Airport, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
Sipas burimeve hetimore, gjatë kontrollit në banesën e Zallës u sekuestruan 3 kallëpë tritoli, 12 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë, 3 ndezës granatash, kapsolla detonatore me 5 celularë, 2 armë automatike, 2 pushkë, 8 krehra, pjesë armësh, rreth 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm si dhe 2 kg e 25 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa.
Fillimisht, hetuesit dyshuan se autorët e atentatit në Rinas mund të kishin siguruar armët nga kjo banesë. Megjithatë, pas ekspertizave balistike dhe verifikimeve të mëtejshme, grupi hetimor bëri të ditur se kjo pistë u përjashtua dhe se nuk u provua lidhje mes Zallës dhe grupit kriminal që organizoi eliminimin e personit të konsideruar si krahu i djathtë i Emiljano Shullazi.
Që prej nëntorit 2025, sipas autoriteteve, nuk ka asnjë gjurmë për vendndodhjen e 49-vjeçarit, ndërsa kërkimet për kapjen e tij vijojnë.
Ylli Zalla nuk është një emër i panjohur për policinë. Rreth 12 vite më parë ai është arrestuar nën dyshimet për prodhim bombash artizanale si dhe për përfshirje në veprimtari të paligjshme në fushën e narkotikëve. Në atë periudhë, sipas deklarimeve zyrtare të kohës, ai u hetua edhe për dyshime mbi kontakte apo tentativa rekrutimi të lidhura me organizatën Islamic State (ISIS), megjithëse nuk është bërë publike ndonjë akuzë përfundimtare në këtë drejtim.
Po ashtu, vite më parë ai është proceduar pas një kallëzimi për kërcënim ndaj pronarit të një kompanie çimentoje në zonën e Fushë Krujës.
Autoritetet theksojnë se hetimet janë në vijim dhe çdo person i përfshirë në këto ngjarje prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
