Bankers Petroleum shkel premtimet, banorët hyjnë me forcë brenda
Ka nisur me tensione protesta e paralajmëruar prej dy ditësh nga banorët e zonës naftëmbajtëse Patos-Marinëz.
Protestuesit kanë hapur me forcë portën e një prej sektorëve të kompanisë Bankers Petroleum dhe janë futur në ambientet e saj. Banorët kanë kërkuar largimin e punonjësve nga zona, ndërsa situata është tensionuar.
Protesta zhvillohet në vijim të kërkesave të banorëve për respektimin e kontratave dhe pagesat për tokat e dhëna me qira kompanisë.
“Është prona ime, jo e jotja. Kemi bërë një kontratë bashkë, por nuk po e zbaton, nuk po më jep lekët”, shprehet një nga banorët.
Banorët kërkojnë njëzëri respektimin e kontratës sipas ligjit dhe kundërshtojnë ndryshimin e kontratës nga një vjetore në dyvjetore dhe përgjysmimin e çmimit të qirasë nga 400 lekë për metër katror në 200.
Për banorët e zonës naftëmbajtëse, qiraja vjetore e tokave mbetet një ndër burimet kryesore të të ardhurave të tyre.
Bankers Petroleum akuzohet për mashtrim dhe fshehje taksash në rendin e qindra milionë eurove nga autoritetet, ndërkohë që kompania rezulton të ketë detyrime të mëdha të papaguara në shtet.

