Plas arma në Shkodër! Vritet 24 vjeçari, plagoset babai i tij!
SHKODËR – Një sherr mes tre personave ka përfunduar me përdorimin e thikës dhe pistoletës në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:30 në lagjen “Kongresi i Përmetit”.
Sipas policisë, 25-vjeçari Andri Vulaj dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj babë e bir, 63-vjeçarit Qamil Luli dhe 24-vjeçarit Ylber Luli, pas një konflikti për motive ende të paqarta.
Si pasojë e të shtënave, 24-vjeçari Ylber Luli ka marrë plagë të rënda dhe ka ndërruar jetë në spital. Edhe babai i tij, 63-vjeçari Qamil Luli, ka mbetur i plagosur.
Ndërkohë, policia dyshon se përpara përdorimit të armës, babë e bir kanë plagosur me thikë 25-vjeçarin Andri Vulaj.
Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e 25-vjeçarit, ndërsa kanë gjetur dhe sekuestruar pistoletën që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin ligjor të saj.

