Zhvaten të dëmtuarit e tërmetit në Fushë Krujë! Gruaja e pamëshirmshme vihet në pranga
Tiranë – Një skemë e dyshuar mashtrimi, me në shënjestër familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019 në Fushë-Krujë, është zbuluar nga Policia e Tiranës dhe Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike. Në pranga ka rënë 45-vjeçarja Ina Cakaj, e dyshuar se ka mashtruar rreth 30 persona, duke u marrë shuma të konsiderueshme parash.
Sipas policisë, Cakaj dyshohet se hiqej si punonjëse e administratës shtetërore dhe, në këmbim të shumave që varionin nga 1 mijë deri në 10 mijë euro, u premtonte qytetarëve se do t’u siguronte dëmshpërblime ose banesa të reja.
Në shënjestër të skemës dyshohet se ishin familje të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 në zonën e Fushë-Krujës, të cilave 45-vjeçarja u premtonte ndërhyrje për përfitimin e kompensimeve apo banesave.
Vlera e skemës dyshohet se arrin në rreth 60 milionë lekë të vjetra, ndërsa hetuesit po punojnë për dokumentimin e plotë të rasteve dhe për përcaktimin e numrit të personave të dëmtuar.
Gjatë veprimeve hetimore, policia dyshohet se ka gjetur dhe sekuestruar certifikata familjare në emër të personave të dëmtuar, të cilat 45-vjeçarja pretendohet se i përdorte në kuadër të skemës për t’u siguruar viktimave dëmshpërblime.
Ina Cakaj akuzohet për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës, ndërsa autoritetet po verifikojnë nëse pas saj fshihen edhe persona të tjerë

