Principote më emër të një të moshuare? Pronari në hije Bekim Bulica, nga trafiku i drogës te dhuna me shkop gome ndaj policit…
I ndodhur përballë tre ishujve të Ksamilit, “Principotes”, një strukturë turistike luksoze, ku mëngjesin e kësaj të marte u gjet i vrarë 20-vjeçari portugez Miguel Mendes, rezulton të jetë e regjistruar nën emrin e një 71-vjeçareje nga Kukësi, Kade Bulica, me një kapital prej 100 mijë lekësh.
Të dhënat e siguruara nga Report TV, zbulojnë se pensionistja e angazhuar në biznes, është e ëma e Bekim Bulicës, një emër që shfaqet shpesh në kronikat e zeza, me një të kaluar të errët e problematike. Në media, emri i tij lakohet të jetë i lidhur dhe me trafik droge në Francë.
Në fakt lidhjet e tij me Francën duket të jenë të forta. Klubi i natës në Principotes, mban një emër francez “La Guerre” (Lufta), ndërsa çdo të hënë, sipas njoftimeve në rrjetet sociale, organizohen “Netët franceze”. Pikërisht mbrëmjen e djeshme, ishte ftuar një DJ francez.
Bekim Bulica ka jetuar në Francë nga ku ai rezulton të jetë ekstraduar në shkurt të vitit 2021. Sipas njoftimit të atëhershëm të policisë, ai “ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, me vendimin penal të datës 14.10.2019 i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për kryerjen e veprave penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.09.2019, në Kukës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të shtetasit F. C.”.
Është e paqartë se çfarë dënimi ka marrë Bulica dhe sa kohë ai ka kaluar në qeli. Por gati një vit më pas, në janar 2022, e ëma e tij regjistron kompaninë Tortuga Bay, e cila më pas do të marrë emrin që sot mban dhe struktura turistike në Ksamil, “Principotes”.
Në shtator të vitit 2023, emri i Bekim Bulicës do të shfaqet sërish në regjistrat e policisë, i përfshirë në një ngjarje të dhunshme në Tiranë. Së bashku me disa familjarë të tij dhe një tjetër person, ata i zënë pritë një polici dhe vëllait të tij, duke i rrahur më pas me shkopinj gome. Në një video me momentet e dhunës, të transmetuar në atë kohë, dëgjohej njëri prej viktimave të dhunës të thotë “Të mbeta në dorë o Bekim”.
Për ngjarjen policia në atë kohë njoftoi arrestimin e 29-vjeçarit Blerim Bulica, ndërsa për Bekimin dhe tre persona të tjerë që morën pjesë në rrahje, u tha se ishin shpallur në kërkim.
Megjithatë asgjë nuk duket se e ka penguar Bekimin të vijojë, nën mbulesën e të ëmës, biznesin e tij, në një nga zonat më të kërkuara të bregdetit shqiptar.
