Tiranë – Monika Marku, 21 vjeçe dhe Suate Çeloaliaj, 25 vjeçe kanë rënë në prangat e policisë së kryeqyetit pasi tre ditë më parë së bashku me tre të tjerë morën peng një 27-vjeçar. Ndërkohë në kërkim vijon të jetë Klajdi Limani njëri nga bashkëpunëtorët.
Më 10 nëntor të 5 rinjtë morën peng për disa orë 27-vjeçarin në Tiranë dhe e dhunuan fizikisht në një apartament. Sipas policisë, 2 nga të arrestuarit vetëm pak pas ngjarjes, Lusjan Kimza dhe Asmireld Nimani, 24-vjeçarë si dhe 3 bashkëpunëtorët, arritën që përmes dhunës dhe presionit ta detyrojnë të riun të shkojë në banesën e tij dhe të marrë 5000 euro.
Suate Çeloaliaj sipas burimeve kishte pasur një lidhje dashurie me 27-vjeçarin Eldi Haxhiu dhe njëkohësisht edhe me Lusjan Kimzën. Ky i fundit pa se e dashura fliste me mesazhe me 27-vjecarin dhe kërkoi t’i merrnin atij para. Pikërisht në këtë moment hyn në lojë edhe vajza tjetër, Monika Marku. Kjo e fundit ka biseduar me 27-vjeçarin në rrjete sociale, kanë lënë vendtakimin për të pirë kafe. Të rinjtë e kishin menduar planin më së miri, pasi kishin marrë një apartament në AirBNB ku Monika Marku kishte shkuar më pas me 27 vjeçarin.
Pikërisht në këtë moment nga tualeti i apartamentit dalin djemtë e tjerë dhe pasi dhunojnë të riun i kërkojnë atij shumën prej 5 mijë eurosh. 27-vjeçari mbahet aty për disa orë dhe më pas largohet dhe merr shumën e lekëve në shtëpi dhe ua jep të rinjve. Po ashtu ata i kërkojnë sërish shumën prej 5 mijë eurosh duke e shantazhuar dhe kërcënuar.
