Një projekt tjetër kontrovers po zhvillohet në qendrën historike të Durrësit, shumë afër monumenteve të kulturës. Qeveria ka dhënë një super leje, për të ndërtuar ngjitur me njëra tjetrën jo 1 por plot 4 kulla, më e larta nga të cilat do të jetë plot 30 kate.
Një paradoks tepër i madh, pasi nga njëra anë promovohet historia e nga ana tjetër kjo histori betonohet, duke ngritur mbi to pallate shumëkatëshe, pa asnjë plan urbanistik. Madje, nëse do t’a shohësh projektin edhe vizualisht, duket një mori ndërtimesh ngjitur me njëra tjetrën, që përveçse ndërtuesit as nuk i shërbejnë të gjithë komunitetit.


VoxNews ka hulumtuar lejen e sapo zbardhur nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, ku duket një “mal” i madh me beton, shumë afër qendrës, apo ngjitur edhe me monumentet e kulturës.
Në dokumente shkrihet se është miratuar leja e zhvillimit për objektin “Durrësi Tower, objekt banimi dhe shërbimi me 8, 17, 24 dhe 30 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë me vendndodhje në Bashkinë Durrës, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘T & xh’ sh.p.k” thuhet në dokumente.
VoxNews ka mësuar se, e njëjta firmë ka fituar miliona euro nga tenderët, kryesisht nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe këto para’ duket se po investohen në ndërtim, në kulla të larta.

Në dokumente shkruhet se zona e studimit ndodhet në Durrës, në hapësirën e Marinës, në një pozicion strategjik midis Portit dhe Sheshit Liria, përgjatë boshtit kryesor urban, Rrugës Egnatia. “Kjo vendndodhje e bën truallin një pikë lidhëse të rëndësishme mes bërthamës historike dhe hapësirës detare, duke i dhënë projektit një rol të dukshëm në strukturën e qytetit. Sheshi është i integruar në një strukturë të dendur urbane, në planin e dytë të ndërtesave të dukshme nga porti” thuhet në dokumente.
Sipas saj, ndërhyrja e parashikuar nuk është vetëm funksionale, por synon krijimin e një pike të re referimi arkitektonik e urban. “Projekti do të gjenerojë identitet të ri, do të forcojë hierarkitë lidhjen hapësinore midis dhe portit. Trualli në të cilin do të realizohet projekti ka një sipërfaqe totale prej 1,429.95 m², e cila do të përdoret në tërësi për zhvillim”, vijon dokumenti.
Sipas saj, lartësia maksimale e strukturës, matur nga niveli i kuotës së sistemimit, është 110 m, ndërsa numri i kateve mbi tokë varion nga 8-17-24-30 kate, në varësi të seksionit të ndërtesës. Numri i kateve nën tokë është 3, të destinuara kryesisht për parkim.

Kullat do të jenë tepër të larta, ndërkohë për të siguruar lidhjen vertikale dhe qarkullimin e brendshëm, ndërtesa është pajisur me një sistem të integruar komunikimi që përfshin 5 ashensorë të shpejtë dhe dy shkallë në katet nëntokësore.
Kati përdhe ka një sipërfaqe prej 774.6 m2 dhe është konceptuar si një zonë me karakter publik dhe komercial, ku janë planifikuar hapësira për dyqane, bare, restorante dhe shërbime të tjera, që do të kontribuojnë ndjeshëm në gjallërimin e jetës urbane përreth ndërtesës.
“Kjo qasje bën që ndërtesa të mos funksionojë vetëm si një njësi e izoluar banimi apo shërbimi, por të shndërrohet në një nyje të gjallë të komunitetit lokal. Nga pikëpamja dimensionale, lartësia totale e ndërtesës arrin deri në 30 kate, duke plotësuar kërkesat për sipërfaqe nga investitori dhe duke garantuar një densitet të përshtatshëm për truallin. Ndarja e projektit në katër vëllime të veçanta është një zgjedhje volumetrike që i jep ansamblit fleksibilitet vizual dhe një identitet unik”, thuhet në dokumente.
