Përpara se të qëllohej për vdekje me armë në sallën e gjyqit, gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja, ka shkëmbyer fjalë me Gjon Shkambin, palën e pakënaqur me vendimin që sapo shpalli.
“Po vërtetoj ato që ka thënë e gjithë Shkodra për ty, që ti je…”, ishin fjalët me të cilat iu drejtua 56-vjeçari, ndërsa gjyqtari është përgjigjur shkurt: “Vazhdo ti vazhdo”.
Kaq ka mjaftuar, që nipi që shoqëronte xhaxhanë në gjyq, Elvis Shkambi, të nxirrte armën nga brezi e të qëllonte drejt magjistratit. Kjo dinamikë është zbardhur nga Prokuroria e Tiranës përmes analizimit të kamerave të sigurisë brenda sallës numër 3 ku u zhvillua seanca gjyqësore më 6 tetor.
30-vjeçari qëllon me një plumb të vetëm edhe ndaj palës kundërshtare, babë e bir, familjarët që jetojnë në pronën e pretenduar nga xhaxhai i tij, Ragip dhe Ervis Kurtaj, duke i plagosur në tentativën e tyre për të dalë nga salla.
Pistoleta të cilën menjëherë pas krimit Shkambi ia dorëzoi rojës së gjykatës, u sekuestrua me fishek në folenë e saj gati për qitje dhe në krehër ishin dhe dy fishek të tjerë të vendosur. Pistoletën ka deklaruar se e dispononte prej 10 vitesh, ka qenë edhe në seanca të tjera me të në brez, por kjo është hera e parë me të cilën ka bërë qitje.
Sipas një pjese nga vendimi i masës së sigurisë të cilin InfoNews e siguron, hetuesit gjetën të parkuar në parkingun e Xhamisë së Namazgjasë, automjetin e Gjon Shkambit, e brenda tij. 31 fishekë të kalibrit 9 mm, në dukje fishekë manovër.
Gjon Shkambi në dëshminë e tij, pretendon se nuk ka pasur dijeni për tragjedinë që do ndodhte. Gjon Shkambi pretendon se pasi nipi qëlloi ndaj gjyqtarit, qëndroi i shokuar në sallë, pa kryer asnjë veprim. Mban mend vetëm t’i ketë thënë Elvisit: Na fike!
“Janë duke më marrë në qafë, jam një viktimë në këtë rast, veç pa plagë ne trup”, mësohet të jetë shprehur Gjon Shkambi.
Ndërkohë Elvis Shkambi pas aktit kriminal thotë se iu afrua Kalasë teksa ishte shtrirë në dysheme – një moment që sipas tij gjyqtari ishte i vetëdijshëm.
“Iu afrova gjyqtari për ta parë dhe mbaj mend që ishte i shtrirë në dysheme, i gjallë dhe i vetëdijshëm”, citohet të ketë thënë Shkambi.
Elvis Shkambi është djali i vëllait të tij, pjesë e pronës për të cilën ishin dhe në gjyq. Të dy u lanë në burg nga Gjykata, bashkë me punonjësin e gjykatës për sigurinë, i cili lejoi futjen në sallën e gjyqit të një personi të armatosur.
