TIRANË – Policia ka zbardhur vrasjen e 40-vjeçarit Hajdar Ismajlgeci, i cili u gjet i vrarë me thikë mbrëmjen e enjtes pranë shkollës “Azem Hajdari” në Babrru. Autori Arlind Demushi, 38-vjeç, u lokalizua në Durrës. Forcat e policisë në bashkëpunim me ato Operacionale ndërhynë në një banesë ku ndodhej autori.
Në momentin e arrestimit, 38-vjeçarit iu gjet një çantë me veshjet që ka patur gjatë kryerjes së krimit. Mësohet se autori ka qenë i dehur kur ka ndodhur ngjarja dhe ende nuk i është marrë dëshmia. Ai ka qenë së bashku me Ismajlgecin duke pirë në një lokal, por kanë dalë, janë konfliktuar për motive banale.
Në këtë moment, autori i dehur e ka qëlluar me thikë duke e lënë të vdekur dhe ka ikur. Identiteti i tij u zbulua pas këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe u kap pas disa orësh. Në momentin që është kapur ndodhej në gjendje të dehur dhe hetuesit nuk i kanë marrë dëshminë, por pritet të pyetet më pas. Ndaj tij rëndojnë veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
