VETINGU NE POLICI ME RITME TE ULETA.
Shorti çon në sitë edhe specialistët
Si një ndër reformat më të rëndësishme në forcimin e shtetit ligjor dhe rritjen e besimit të qytetarëve tek institucionet e sigurisë, edhe pse me ritme të ngadalta, po vijon procesi i vettingut në radhët e Policisë së Shtetit dhe strukturave të lidhura me të, si AMP. Ky proces synon të sigurojë që punonjësit e këtyre strukturave të përmbushin standardet më të larta të integritetit moral, profesionalizmit dhe transparencës. Përmes verifikimit të figurës, pasurisë dhe aftësive profesionale, vettingu shërben si një mekanizëm i rëndësishëm për pastrimin dhe forcimin e institucioneve, duke nxitur një kulturë përgjegjshmërie dhe besueshmërie në shërbim të publikut.
Seancat dëgjimore, janë një element kyç i këtij procesi, pasi garantojnë të drejtën e çdo subjekti për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur qëndrimet e tij në mënyrë të hapur dhe transparente. Këto rregulla zbatohen për të gjithë punonjësit pa dallim hierarkie
Subjekti i këtij vlerësimi, ishte këtë të premte edhe Fiorela Sina, specialiste në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP). Seanca dëgjimore është pjesë e procedurave standarde të verifikimit dhe vlerësimit profesional të punonjësve në institucionet publike.
Trupa e Vlerësimit që drejtoi këtë proces përbëhej nga:
• Erisa Llupi, Kryesues
• Elida Domi, Relator
• Ersa Karaj, Anëtar
Rezultatet përfundimtare të vlerësimit pritet të shpallen në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, duke vijuar kështu angazhimin për një administratë publike më të pastër, më profesionale dhe më të besueshme për qytetarët. Seancat dëgjimore mbahen në ambientet e Ministrisë së Brendshme.
