Studentët që kërkojnë mbështetje financiare për të përballuar kostot e universitetit mund të aplikojnë deri më 4 nëntor për të përfituar nga skema e kredive studentore. kredi për studimet
Aplikimet dorëzohen përmes portalit e-Albania.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, kredia mund të përdoret për të paguar tarifën e studimit dhe për të mbuluar shpenzimet e jetesës gjatë ndjekjes së universitetit.
Për këto të fundit, financimi parashikohet deri në kufirin e pagës minimale të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
Procesi i aplikimit për këtë vit akademik ka nisur më 5 tetor.
Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet sipas kritereve të skemës, ku merren në konsideratë shuma e kërkuar, programi i studimit dhe rezultatet akademike.
Të drejtën për të aplikuar e kanë studentët me shtetësi dhe vendbanim në Shqipëri, të regjistruar në institucionet e arsimit të lartë.
Ata duhet të plotësojnë kushtet e kreditimit dhe të mos përfitojnë nga disa forma të tjera të mbështetjes financiare, të përcaktuara në kriteret e skemës.
Skema u ofron studentëve një mundësi financimi për dy prej kostove kryesore të ndjekjes së universitetit: tarifën e shkollimit dhe jetesën.
Synimi është lehtësimi i barrës financiare të familjeve dhe mbështetja e të rinjve që kanë vështirësi ekonomike për të vijuar studimet.

