Autoritetet belge të drejtësisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), po hetojnë një rrjet kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, i dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Ndryshe nga mënyrat e zakonshme të fshehjes së drogës në kontejnerë me fruta tropikale, ky grup përdorte anije tregtare ku droga fshihej në hapësira të posaçme. Hetuesit kanë zbuluar se, gjatë rrugës detare, ngarkesat me kokainë hidheshin në det të hapur dhe më pas mblidheshin nga peshkarexha të vogla sipas koordinatave të përcaktuara. Në një rast, dyshohet se grupi ka përdorur edhe një nëndetëse për transport.
Sipas burimeve të hetimit, kokaina vinte kryesisht nga Ekuadori dhe Brazili, ndërsa në Belgjikë ekzistonte mundësia e përpunimit të saj në një laborator të posaçëm. Rrjeti kishte shtrirje ndërkombëtare, me kontakte në disa shtete të Europës, Amerikës Latine dhe Afrikës, nga ku mendohet se siguroheshin gjithashtu ngarkesa droge.
Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë arritur të bllokojnë rreth 400 kilogramë kokainë në tre operacione të ndryshme: dy në portin e Antërpit në Belgjikë dhe një tjetër në portin e Brake në Gjermani. Deri tani janë identifikuar të paktën pesë persona, ndërsa për disa të tjerë hetuesit kanë vetëm nofkat.
Të dyshuarit komunikonin përmes telefonave të enkriptuar dhe organizonin takime në Dubai e në hotele në Belgjikë, ku diskutoheshin planet për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës. Hetimet vijojnë për të zbuluar të gjithë anëtarët e rrjetit dhe lidhjet e tyre ndërkombëtare.
