SPAK: Meta fshehu pasuri, shpenzime luksi dhe burime parash me origjinë nga korrupsioni
Dosja e SPAK-ut ndaj Ilir Metajt dhe Monika Kryemadhit zbardh një skemë të gjerë të dyshuar të fshehjes së pasurisë, mosdeklarimit të shpenzimeve dhe përdorimit të parave me burim të paligjshëm, të cilat sipas prokurorisë kanë origjinë nga veprimtari korruptive.
Sipas dosjes së siguruar nga “MaShqip”, SPAK pretendon se çifti Meta-Kryemadhi, për vite me radhë, ka pasur të ardhura nga burime të ligjshme, por niveli real i shpenzimeve dhe pasurive nuk justifikohet vetëm me këto burime. Prokuroria thotë se një pjesë e shpenzimeve janë financuar nga të ardhura të pajustifikuara dhe të paligjshme, që dyshohet se vijnë nga vepra penale e korrupsionit.
Në dosje thuhet se Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi kanë fshehur shpenzime mjekësore, estetike, arsimore, udhëtime, hotele, blerje luksi, llogari bankare të familjarëve dhe pagesa të kryera me para cash, të cilat duhej të deklaroheshin në ILDKPKI pasi kalonin kufirin ligjor prej 300 mijë lekësh.
Një nga rastet më domethënëse, sipas SPAK, është pagesa prej 11.351 euro për shërbim mjekësor të Monika Kryemadhit në San Marino. Kjo pagesë është ndarë në dy pjesë: 6.351 euro me kartë krediti dhe 5.000 euro cash. Sipas prokurorisë, copëzimi i pagesës nuk është bërë për shkak të limitit të kartës, por me qëllim për të fshehur burimin e shumës së paguar cash.
SPAK e konsideron këtë si provë të dashjes për deklarim të rremë. Në dosje theksohet se shuma prej 5.000 euro cash nuk është deklaruar dhe se, sipas hetimit, ajo ka burim të paligjshëm.
Prokuroria thotë se ky rast nuk duhet parë i shkëputur nga modeli i përsëritur ndër vite, ku çifti Meta-Kryemadhi ka mosdeklaruar shpenzime të konsiderueshme në deklaratat vjetore të pasurisë. Vetëm për trajtime mjekësore jashtë vendit, sipas dosjes, Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi nuk kanë deklaruar shpenzime në vlerën 106.125 euro, nga të cilat 86.891 euro janë paguar cash.
SPAK përmend edhe shpenzimet mjekësore të Bora Metajt në spitalin e San Marinos, si dhe një llogari bankare dyemërore në emër të Fatime Kryemadhit dhe Bora Metajt, të cilat sipas prokurorisë nuk janë deklaruar.
Pjesë tjetër e rëndësishme e dosjes lidhet me blerjen e banesave dhe shlyerjen e kredive. SPAK pretendon se Ilir Metaj, Monika Kryemadhi dhe Fatime Kryemadhi kanë përdorur mekanizmin e marrjes së kredive bankare për blerjen e pasurive të paluajtshme, por më pas këto kredi janë shlyer brenda një periudhe të shkurtër, rreth 8 muaj, me shuma të konsiderueshme parash pa burim të ligjshëm.
Sipas prokurorisë, ky mekanizëm është përdorur për të futur në sistemin bankar kapital të paligjshëm dhe për ta paraqitur atë si të ligjshëm. SPAK thotë se veprimet janë kryer me dashje të drejtpërdrejtë, me qëllim që paratë e siguruara në mënyrë të paligjshme të përdoren për shpenzime luksi dhe blerje pasurish të paluajtshme.
Në këtë skemë, sipas SPAK, ka pasur rol edhe Ema Çoku. Prokuroria pretendon se ajo ka ndihmuar për të mbuluar origjinën e parave përmes një deklarate noteriale, duke pretenduar se i kishte dhënë hua Fatime Kryemadhit. Por SPAK thotë se Ema Çoku jo vetëm që nuk ia kishte dhënë këto para Fatimes, por nuk kishte as mundësi financiare për të krijuar dhe dhënë një shumë të tillë cash.
Në dosje thuhet se deklarata noteriale e Ema Çokut u përdor pasi Fatime Kryemadhi ishte vënë në dijeni nga organi procedues për mungesën e burimeve të ligjshme dhe faktet për të cilat dyshohej.
SPAK lidh mosdeklarimin e shpenzimeve dhe pasurive me akuza më të gjera për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas prokurorisë, Ilir Metaj ka përdorur ndikimin e tij si ministër, kryetar Kuvendi dhe drejtues politik për të krijuar marrëdhënie korruptive në disa raste.
Në rastin CEZ-DIA, SPAK pretendon se Ilir Metaj, në cilësinë e ministrit të Ekonomisë, ka ndërmjetësuar lidhjen e kontratës mes CEZ Shpërndarje dhe kompanisë Debt International Advisory të Kastriot Ismailajt, me qëllim krijimin e një marrëdhënieje korruptive dhe përfitimin e shumave të konsiderueshme parash.
Në rastin UNIFI, sipas dosjes, Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi kanë përdorur ndikimin e tyre te AKEP dhe Vodafone për lidhjen e kontratave të interkoneksionit me kompaninë UNIFI Communication të Adrian Shatkut. SPAK pretendon se nga kjo marrëdhënie ata kanë përfituar përmes kartave të kreditit, pagesave të shpenzimeve familjare dhe financimit të lobimit politik në SHBA.
Prokuroria përmend edhe rastin e biznesmenit Samir Mane, ku sipas dosjes, Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi kanë pranuar premtimin për përfitimin e një vile në Rolling Hills, në këmbim të ndërhyrjes për miratimin ose ndryshimin e një ligji në fushën e minierave. Edhe pse marrëveshja nuk u finalizua, SPAK thotë se pranimi i premtimit mjafton për konsumimin e veprës penale të korrupsionit pasiv.
Sipas SPAK, përmes blerjes së banesave, përdorimit të kredive, deklaratave noteriale, mosdeklarimit të shpenzimeve dhe përdorimit të llogarive familjare, Ilir Metaj, Monika Kryemadhi dhe Fatime Kryemadhi kanë konsumuar elementët e veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale.
Në pjesën që lidhet me deklarimin e pasurisë, SPAK thotë se Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi kanë kryer deklarim të rremë për vitet 2013, 2014, 2015, 2016, 2017 dhe 2019. Për disa prej viteve të mëparshme, prokuroria thotë se vepra penale është parashkruar për shkak të kalimit të afatit 5-vjeçar. Megjithatë, për deklaratën periodike të vitit 2019, të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2020, akuza mbetet aktive.
DOSJA/ SPAK-u zbardh dëshmitë e Samir Mane dhe Eva Mane për korruptimi e çiftit Meta-Kryemadhi
Në përfundim, sipas dosjes së SPAK-ut të siguruar nga “MaShqip”, Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi akuzohen se nuk kanë deklaruar shpenzime të detyrueshme, kanë fshehur burime parash, kanë përdorur persona të afërt për të mbuluar origjinën e fondeve dhe kanë kryer deklarim të rremë të pasurive e interesave private.
Prokuroria e konsideron këtë jo si një gabim administrativ, por si një skemë të përsëritur për të fshehur pasuri dhe para që, sipas hetimit, burojnë nga korrupsioni dhe më pas janë përdorur për shpenzime luksi, pasuri të paluajtshme, shkollim, udhëtime dhe trajtime mjekësore jashtë vendit.
