Motoristët që punojnë për shërbimin e shpërndarjes së porosive të kompanisë Wolt protestuan të dielën në Bulevardin e Ri, pranë ish-stacionit të Trenit, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës.
Herën e fundit motoristët e kësaj kompanie protestuan më 30 shtator 2024, kur u duk se arritën një mirëkuptim me përfaqësuesit menaxherialë të degës së kompanisë në Shqipëri.
Megjithatë, pakënaqësitë u rikthyen dhe bashkë me to edhe rezistenca për të mos punuar, apo siç e përshkruajnë protestuesit me jelekë blu, “për të qëndrojnë offline”.
“Përderisa ne po punojmë për 300 lekë kilometri, nuk ia vlen të ndezësh motorin”, tha njëri prej motoristëve.
Sot, më 9 mars, motoristët i dërguan një shkresë kompanisë dhe zyrave të saj nënkontraktuese, ku paraqitën një sërë kërkesash lidhur me kushtet e punës. Në njoftim, ata shprehin pakënaqësi për uljen e ndjeshme të tarifave të shërbimit dhe kërkojnë që asnjë prej motoristëve protestues të mos penalizohet apo të nxirret “offline” nga aplikacioni.
Lexo edhe: Motorristi WOLT Albania shpërndan drogë, goditet grupi me 33 persona
Mes kërkesave kryesore janë rritja dhe transparenca e tarifës për kilometër, pajisja e të gjithë motoristëve me kontrata pune sipas Kodit të Punës, pagesë shtesë për ngjitjen e porosive në pallate me shumë kate dhe për porositë me prioritet, si dhe rikthimi në aplikacion i kategorisë “motorist” për ata që kryejnë shërbimin me motor.
Po ashtu, motoristët kërkojnë që kompania të sigurojë uniformat dhe pajisjet e punës pa pagesë nga ana e tyre.
“Nëse je punonjës i Wolt-it prej vitesh, do ta marrësh koshin me 25 mijë lekë. Nëse je i ri, duhet të paguash 50 mijë lekë, ndërkohë që ne realisht po mbështesim firmën dhe po i bëjmë reklamë”, shpjegoi Roveno Qatipi.
Motoristët theksojnë se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave, ndërsa shprehin gatishmëri për dialog me përfaqësuesit e kompanisë për gjetjen e një zgjidhjeje.
Reagimi i tyre i është dërguar gjithashtu Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, si dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Jam aksidentuar para një viti. Kam qenë në një kompani tjetër, kam thyer këmbën dhe askush nuk vuri ujin në zjarr”.
Policia izolon protestën
Pas mbledhjes në Bulevardin e Ri dhe diskutimeve në grup për mënyrën se si do të vijojë rezistenca, motoristët tentuan të dilnin në qytet për ta bërë më të dukshme kundërshtinë e tyre.
Pa vonuar, forcat policore, por edhe punonjës të veshur civilë, bllokuan motorët me arsyetimin se po pengohej trafiku.
Motoristët kundërshtuan duke thënë se do ta vijojnë protestën në ditët në vijim në këmbë, duke mos i marrë motorët.
Gjatë protestës ata vunë re se çmimet e shërbimit që do të ofroheshin në ato momente do të ishin shumë më të larta se zakonisht, për shkak të bojkotit.
Ata u shprehën njëzëri se do të vijojnë të qëndrojnë “offline” për të shprehur rezistencën, por nuk janë dakord që vetë menaxherët t’i nxjerrin jashtë sistemit (offline) për shkak të kërcënimeve, si një taktikë që mund t’i largojë nga puna.
Filiali i “Wolt” në Shqipëri u hap më 27 nëntor 2023 nga kompania mëmë finlandeze “Wolt Enterprises Oy,” me kapital themeltar prej rreth 500 mijë eurosh. AJo operon në Shqipëri përmes nënkontraktorëve për sa i përket sigurimit të krahut të punës për korrierët, të cilët edhe pse realisht nuk kanë marrëdhënie direkte me kompaninë, mbajnë logon e “Wolt”.ci

1 Koment
Pingback: Pse hesht Wolt Albania?