Detaje të reja janë zbuluar nga skandali i AKSHI që kontrollohej nga Ergys Agasi Ermal Beqiri dhe Linda Karçanaj! Pengmarrësit e veshur me uniforma të sajuara policie që rrëmbyen biznesmenin Gerond Meçe nuk janë identifikuar ende, por hetimet gjetën se makina që ata përdorën i përket kompanisë Merkaj 3 sh.p.k. në pronësi Endri Merkaj. Për SPAK, ky i fundit dhe vëllai i tij Klajdi Merkaj, nuk janë figura të panjohura.
“Nga burimet e hapura është verifikuar fakti se shtetasi Endri Merkaj, së bashku me vëllain e tij Klajdi Merkaj, janë lidhje me interes të shtetasve Arjan Ormenaj dhe Arben Lamçe, pjesë e grupit kriminal “Çopja,”, thuhet në dosjen hetimore.
Klajdi Merkaj është dërguar ndërkohë për gjykim në një procedim të lidhur me vëllezërit Çopja dhe akuzohet se kreu pastrim parash për llogari të tyre duke përdorur kompanitë e tij të ndërtimit.
SPAK thotë se kjo nuk qe e vetmja lidhje mes palëve, sepse në zyrën e Agasit u sekuestruan kontrata shitjeje pasurish të paluajtshme që po ashtu të çonin te lidhja dhe kontakti me Çopjat.
“Këto të dhëna, në përputhje dhe me deklarimet e shtetasit Gerond Meçe, i cili shpjegon se ka konstatuar se dy nga personat që e kishin rrëmbyer kishin dialekt nga zona e Elbasanit, madje njëri prej tyre i kishte thënë se po ta shihte në Elbasan, do ta përshëndeste”, thuhet në dosje.
Në dëshmitë e marra nga SPAK, Andis Papa, administratori i kompanisë “Fastech” pretendon se nënshkroi kontrata me vlerë mbi 1.5 milion euro me kompaninë EA Solution të Agasit, pa takuar kurrë qoftë edhe një përfaqësues të vetëm të kësaj kompanie. Tenderat e fituar nga Beqiri dhe Papa prekin drejtpërdrejt infrastrukturën kritike digjitale.
Të 19 tenderat që janë nën hetim prekin drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë qytetarët, pasi kanë të bëjnë me dokumente identifikimi, nënshkrimin digjital e të ngjashme, deri te siguria ushqimore e ajo e barnave. Ndërkohë, këtyre kompanive u është dhënë akses dhe u është lejuar të ndërtojnë sisteme për sigurinë e burgjeve apo sisteme të Policisë së Shtetit.
Sipas hetimeve të SPAK, të gjithë tenderat sensitivë u lanë në duart e një grupi, që kur mori peng Meçen përcolli mesazhin: “Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundërt do të vrasim ty, grua, motër, nënë, se babë nuk ke ti”.
