I arrestuari Altin Ndoci u arrestua gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, si i përfshirë në bandë kriminale.
Altin Ndoci ka qenë i dyshuar për vrasjen e 4 personave, fillimisht dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë në vitin 2020, Anxhelo Avdija dhe Dorian Shkoza.
Por më 2 prill 2024, Gjykata e Posaçme ka pushuar të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit, përfshirë edhe dyshimin për vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdijas, duke e shpallur atë të pafajshëm.
Ishin dëshmitë e të arrestuarit Klevis Alla, i cili e përfshinte Altin Ndocin në këto 4 vrasje, por Gjykata e Posaçme nuk u bind nga këto dëshmi, çka bëri që Ndoci të merrte pafajësinë. Nga ana tjetër, për vrasjen e dy vëllezërve Haxhiaj, Gjykata e Posaçme dënoi me 25 vite burg Klevis Allën.
Megjithëse Altin Ndoci fitoi pafajësinë në vitin 2024, ai nuk mundi të dalë nga burgu, pasi SPAK ka ngritur akuza të tjera kundër tij, pas dëshmive të Nuredin Dumanit, i cili e përfshin atë në disa ngjarje të rënda.
Në dëshmitë e dhëna në SPAK nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, Klevis Alla dyshohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, kryer në bashkëpunim në formën e “grupit të strukturuar kriminal”. Gjithashtu, Ndoci mbahej në burg edhe për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyeseve dhe municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”.
Në një tjetër episod, në shkurt të vitit 2025, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka rrëfyer para togave të zeza disa nga krimet e kryera nga ai dhe banda e një tjetër të arrestuari nga SPAK, Erion Alibej. Dumani ka thënë se pas masakrës së Bradasheshit, ku mbeti i vrarë edhe vëllai i Erion Alibejt, grupi kriminal do të merrte hak ndaj rivalëve dhe do të vriste në Elbasan “kë t’i dilte përpara”, me porosi të Alibejt.
Ky i fundit ka akuzuar edhe Altin Ndocin se kishte qenë në grupin e ekzekutorëve dhe madje kishte tentuar t’i vriste vëllanë, por i ishte bllokuar arma.
