Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme edhe në aksin rrugor Qukës-Qafë Pllocë, ku ka pasur rrëshqitje te dherave.
Ne momentin e rrëshqitjes është goditur një automjet që ka qenë në lëvizje.
Fatmirësisht dëmet e shkaktuara kanë qenë vetëm materiale, duke dëmtuar automjetin vetëm në pjesën e përparme të tij.
Skandali i rrugës Qukës–Qafë Plloçë po zgjerohet çdo ditë, duke zbuluar shtresa të reja abuzimi, vjedhjeje dhe kapjeje të fondeve publike. Shembja masive e Lotit 3, vetëm një muaj pas inaugurimit, nuk ishte thjesht një “aksident teknik”, por finalizimi i një historie të gjatë mashtrimesh, fryrjesh kostosh dhe zhvatjeje sistematike të buxhetit të shqiptarëve.
Rritja e kostove nga 25 milionë USD në 75 milionë USD
Loti 3 i rrugës Qukës–Qafë Plloçë ishte parashikuar fillimisht të kushtonte 25 milionë dollarë. Projekti ishte pjesë e një marrëveshjeje huaje mes Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim në vitin 2014. Por shumë shpejt, kostot nisën të rriteshin pa asnjë logjikë teknike.
Në qendër të aferës u shfaqën kompania saudite Rawafed Al Torok dhe partneri i saj në Shqipëri, 2T, e zotëruar nga Artan Sako, vëllai i kryebashkiakut të sapozgjedhur të Tepelenës, Gramos Sako. Pikërisht këto dy kompani “gëlltitën” pjesën dërrmuese të financimit të Lotit 3, segmenti më i kushtueshëm i gjithë projektit.
Rritjet e buxhetit sipas viteve
Në vitin 2017, ARRSH kërkoi rritjen e buxhetit në 49.3 milionë USD, me justifikimin e “punimeve shtesë në skarpatat e rrugës”.
Qershor 2020 – kërkohen 49 milionë USD shtesë për Lotin 2
1 javë më pas – ndryshohet kërkesa: 25 milionë USD për Lotin 3
Dhjetor 2020 – shtesë tjetër prej 24 milionë USD për Lotin 3
Në fund, financimi total shkoi në 74–75 milionë dollarë, një rritje pothuaj 50% krahasuar me kontratën bazë. Dhe ironi e fatit? Paratë u përdorën për “stabilizimin e skarpatave”, pikërisht skarpatat që u shembën si të ishin prej rëre pas vetëm 30 ditësh.
Tenderi i ri për të njëjtin segment – edhe një aferë?
Në vend që të ndëshkoheshin, të njëjtët emra që morën 75 milionë dollarë për një rrugë që nuk mbijetoi as një muaj… sot fitojnë një tjetër tender të majmë në të njëjtin segment rrugor.
Detajet e tenderit të ri
Objekti: “Mirëmbajtje me performancë e segmentit rrugor Qukës–Qafë Plloçë”
Autoriteti kontraktues: ARRSH, drejtuar nga Gentian Gjyli, aktualisht në arrest shtëpie
Fituesi: 2T, në pronësi të Artan Sakos dhe Dritan Troksit
Vlera fituese: 29,359,200 lekë pa TVSH, rreth 360 mijë euro me TVSH
Fondi limit: 31,819,342 lekë pa TVSH, rreth 390 mijë euro me TVSH
Oferta fituese rezulton të jetë rreth 92% e fondit limit, sikur konkurrenca të mos ekzistonte fare.
Katër oferta më të ulëta refuzohen
Hetimi i dokumenteve të tenderit tregon se 4 kompani të tjera kanë ofruar çmime më të ulëta se 2T. Prapëseprapë, fituese është shpallur kompania e Artan Sakos.
Pra, ndërsa Shqipëria ka drejtues të ARRSH nën arrest, institucioni vazhdon po të njëjtin model abuzimi, duke shpërblyer oligarkët e lidhur me pushtetin.
