Porsche për Mirlinda Karçanaj? SPAK zhyt AKSHI, hetimet zbulojnë skemën
TIRANË- Prokurorët e SPAK kanë paraqitur prova të tjera në seancën e djeshme në GJKKO, për masat e sigurisë ndaj të hetuarve të dosjes “AKSHI”, ndërsa vendimi për këtë çështje do të shpallet më 5 shkurt në orën 15:00. Gjatë seancës, prokurorët e çështjes ka kërkuar që të ngelin në fuqi masat e mëparshme, teksa kanë paraqitur prova të reja në Apelin e GJKKO-së lidhur me hetimet që po zhvillohen për Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Bëhet fjalë për prova që tregojnë marrëdhënie të dyshuara financiare mes biznesmenësh në kërkim dhe familjarëve të ish-drejtoreshës, Mirlinda Karçanaj. Një nga provat më të forta lidhet me blerjen e një automjeti Porsche në vlerë 38 700 euro nga Porsche Albania, përmes një zinxhiri kompanish. Kontratë pas kontrate, janë bërë disa transaksione për të humbur gjurmët, pasi automjeti ka përfunduar tek Artan Babameto, bashkëshorti i Mirlinda Karçanaj, i cili rezulton se e ka blerë makinën për vetëm 9 000 euro.
Dyshohet se të gjitha kompanitë e përfshira në këtë skemë janë të lidhura me biznesmenin Ermal Beqiri, i cili është në kërkim së bashku me biznesmenin, Ergys Agasi. Lidhje mes Beqirit dhe Karçanaj ka vijuar edhe më tej, pasi raportohet se një tjetër kontratë qiramarrje të një apartamenti, përfshin drejtpërdrejtë kompanitë e tyre.
Gjithashtu, mësohet se ish-nëndrejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, ka dëshmuar detaje duke hequr përgjegjësinë penale personale. Shima ka deklaruar para hetuesve se të gjitha veprimet dhe vendimmarrjet e tij janë kryer nën direktivat e eprorës së tij, Mirlinda Karçanaj. Ai ka pohuar se institucioni drejtohej realisht nga Karçanaj dhe se çdo vendim i tij ishte i diktuar prej saj.
Më 5 shkurt pritet të jepet nga gjyqtari Florjan Kalaja, ku drejtoresha e pezulluar e AKSHI-t Mirilinda Karçanaj kërkon heqjen e masës “arrest shtëpie”. Zv.drejtori i policisë së Tiranës, Erion Ismailaj, kërkon heqjen e masës së pezullimit nga detyra, ndërsa dy biznesmenët në kërkim Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri nuk kanë bërë ankim në Apel, ndërkohë që ndaj tyre nuk janë ekzekutuar masat e sigurisë.
Dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, të akuzuar për ‘grup të strukturuar kriminal’ dhe manipulim me tenderët e ASHKI-t, vijojnë të jenë në kërkim. Dyshja akuzohet se përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit detyruan biznesmenin Gerond Meçe, të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë ku donin të dilnin fituese kompanitë e lidhura me ta. Drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj dhe zv/drejtoresha Hava Delibashi janë në “arrest shtëpie”. GJKKO ka pezulluar nga detyra zv/drejtorin e Policisë së Tiranës Erion Ismailaj.
Hetimet e SPAK dyshohet se përfshijnë rreth 12 procedura tenderimi, ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Operacioni konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të SPAK në sektorin e prokurimeve publike dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa hetimet pritet të thellohen edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë zyrtarë dhe përfaqësues biznesesh./ZËRI
