Policia e Elbasanit ka zhvilluar një operacion të befasishëm pasditen e sotme në afërsi të fshatit Katund i Ri, në zonën e njohur si Metalurgjiku, ku ka shoqëruar disa persona për verifikim.
Burime bëjnë me dije se një ndër të shoqëruarit është biznesmeni i njohur Bujar Muça, 53 vjeç, banues në Elbasan. Ai është pronar i kompanisë “Delta Group”, si dhe i disa bizneseve të tjera aktive në qytet dhe më gjerë.
Muça nuk është një emër i panjohur për opinionin publik. Ai ka pasur angazhime edhe në politikë, ku në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 kandidoi për deputet në radhët e PDIU-së. Edhe pse fitoi mandatin, ai u dorëhoq më 30 nëntor të po atij viti, rreth tetë muaj pas zgjedhjeve, për arsye që u cilësuan si personale.
Policia nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar mbi motivet e operacionit dhe rrethanat që çuan në shoqërimin e Muçës.
