Nga AKSHI nën Hetim tek AKSHI që Zhduk Gjurmët e Shpenzimeve Publike
Prej datës 26 shkurt, në faqet zyrtare të shtetit shqiptar është ndërprerë transparenca mbi publikimin e të dhënave për pagesat dhe transaksionet e Thesarit nga institucionet buxhetore.
Shkaku nuk lidhet me ndonjë zhvillim apo ndryshim të praktikave të transparencës. Arsyeja, sipas informacioneve të disponueshme, lidhet me ndryshimet e shumta në stafet IT, pjesë e organigramës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Stafi i ri ende nuk duket se ka kuptuar plotësisht detyrat dhe përgjegjësitë e tij, ndërsa ekziston rreziku që kjo situatë të zgjasë, duke shënuar një rast ekstrem kur institucionet nuk përmbushin funksionin e tyre bazë: garantimin e transparencës publike.
Ndërprerja e publikimit të të dhënave për pagesat e Thesarit nuk është një problem teknik i zakonshëm. Bëhet fjalë për një sistem të konsoliduar transparence, i cili prej vitesh ka shërbyer si një nga instrumentet kryesore për monitorimin e shpenzimeve publike dhe për forcimin e llogaridhënies.
Deri në rikthimin e këtij informacioni, publiku mbetet pa mundësi për të kuptuar se si shpenzohen fondet publike, cilët janë përfituesit e pagesave, dhe nëse fondet publike po përdoren në mënyrë të drejtë dhe transparente.
Në këtë situatë, rritet rreziku që klientë të caktuar të qeverisë, institucioneve buxhetore apo vetë AKSHI-t, të përfitojnë pa u vënë re nga kontrolli publik.
Mungesa e transparencës në një sistem që duhet të jetë automatik dhe i institucionalizuar ngre shqetësime serioze për llogaridhënien publike, kontrollin qytetar dhe menaxhimin e financave publike.
Sepse kur transparenca ndalon, lind dyshimi: është paaftësi administrative apo një errësim i qëllimshëm i shpenzimeve publike?
