Nga Tirana udhëtarët mund të shkojnë lehtësisht për në Aeroportin e Rinasit, përmes autostradës. Për këdo qe vjen nga jugu, policia apeloi të kalojnë nga rruga e Plepave në Durrës për në Ndroq, pra të vijnë një herë në Tiranë, e më tej të kthehen për Rinas nga autostrada. Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, disa fluturime në Rinas kanë vonesa, siç njoftoi zyrtarisht aeroporti.
Ndërkohë vetëm 4 itinerare janë anuluar, nisjet nga Tirana për në Milano, Venezia dhe Rimini, që ishin në orët e paradites dhe një mbërritje nga Venezia, sërish në orët e para të mëngjesit.
“Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, disa fluturime mund të ndikohen në oraret e tyre. Operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës vijojnë normalisht, me stafet që punojnë në koordinim të ngushtë për të garantuar shërbime të pandërprera në aeroport. Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë statusin e fluturimit të tyre dhe të qëndrojnë në kontakt me linjën ajrore përkatëse për përditësime. Faleminderit për mirëkuptimin”, njoftoi Rinasi.
