Ja lokalet ku shitej droga në Bllok, nga Magic Club, Charls, Libraria e Kino…
Tirana – Gjykata e Tiranës ka lëshuar 11 masa sigurie për administratorë dhe punonjës të disa lokaleve të natës që operojnë kryesisht në zonën e ish-Bllokut, të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike brenda ambienteve të tyre.
Nga aksioni i policisë janë arrestuar 9 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Personat e arrestuar janë: Enis Haxhiaj, Akil Ndreu, Klevis Maqellari, Raul Loka, Endrijus Shaliu, Ergi Hasani, Migert Balla, Arli Gjokmeli dhe Fradjo Keli.
Ndërkohë, Orges (Dritan) Jahelezi është arrestuar në flagrancë pasi kishte thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ai rezulton i dënuar më parë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për trafik droge.
Sipas hetimeve të policisë, gjatë kontrolleve në klubet e natës janë gjetur dhe sekuestruar rreth 100 gramë kokainë, 2200 tableta ekstazi (MDMA), si dhe 11 telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për organizimin e aktivitetit të paligjshëm.
Burime për Infonews bëjnë me dije se droga dyshohet se shitej në disa prej klubeve të njohura të natës në Tiranë, mes tyre: Magic Club, Puls, Charls, Cheers, De Charm, Libraria, Kino, Juliette, Jadore dhe Buda.
Hetimet për këtë rast vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
