Belinda Balluku nuk mund të qëndrojë në detyrë sepse ka rrezik të përsërisë veprën penale për të cilën është marrë e pandehur, pasin po hetohet për disa tendera, dhe mund të prishë provat. Ky është argumenti i gjyqtarit Erjon Çela për masën e sigurisë për pezullim nga detyra të zv. Kryeminitres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Nga vendimi, ku thuhet se Balluku dhe vartësit e saj rrezikojnë deri në 5 vite burg secili dhe mund të arratisen.
“Gjykata vlerëson se, në rastin konkret ekziston rreziku i largimit të të pandehurve të sipërcituar, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ata dyshohen, konkretisht nga një deri në pesë vjet burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 258 i K.Penal, duke marrë parasysh rrethanën se të pandehurit dyshohen për këtë vepër penale të kryer dy here dhe në bashkëpunim”, sqarohet në vendimin e GJKKO.
Në lidhje me rrezikun që për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohet, Gjykata vlerëson se, “në rastin konkret për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurve të sipërcituar, duke qenë në ushtrimin e funksioneve respektive të tyre për shkak të detyrës, ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen, kjo lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet Qëndrore që ata drejtojnë”.
Në lidhje me ekzistencën e shkaqeve të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës Gjykata vlerëson se, “në rastin konkret ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të kësaj çështjeje. pasi për shkak të detyrës që ushtron e pandehura Belinda Balluku. (aktualisht me funksionet e larta shtetërore, Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës). por dhe të pandehurit e tjerë Gentian Gjyli, (aktualisht me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar), Frald Elezi, (me detyrën e Administratorit të Koorporates Elektroenergjitike Shqiptare SH.A). ekziston mundësia që ata të mund të ndërhyjnë dhe të ndikojnë në prishjen ose asgjësimin e provave, në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, kjo nisur nga fakti që organi procedues po verifikon çdo dokumentacion të administruar nga Institucionet”, thuhet në vendimin e GJKKO.
Nga dita e djeshme Belinda Balluku nuk mund të ushtrojë më asnjë kompetencë të zv. kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Me një vendim të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të firmosur të mërkurën nga gjyqtari Erjon Çela, Balluku është pezulluar nga detyra, pasi është marrë e pandehur ndërtimin 190 milionë eurosh të tunelit të Llogarasë por dyshohet për tenderin 21 milionë eurosh të ndërtimit të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Pas kërkesës nga prokurori i çështjes Dritan Prençi, Ballukut i është marrë pasaporta, duke e ndaluar të lëvizë jashtë vendit. Të dyja masat i janë njoftuar zv. kryeministres, ndërsa përveç nr.2 të qeverisë GJKKO ka vendosur edhe 2 masa “arrest në shtëpi” për bashkëpunëtorët e Ballukut, kreut të ARRSH Gentian Gjyli dhe Erald Elezit, aktualisht drejtor i KESH.
Për të dy tenderat, me vlerë totale prej 210 milionë eurosh, SPAK thotë se Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes në vazhdimësi gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës.
