Gara për kreun e ri të policisë së shtetit! Ja kush janë favoritët
Pas largimit të Ilir Prodës, 14 zyrtarë të lartë të policisë dhe 2 gra juriste synojnë postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Po kush janë emrat më të favorizuar për të marrë drejtimin e institucionit të rëndësishëm?
Tonin Vocaj, një zyrtar me karrierë të gjatë në polici, që ka drejtuar Policinë e Tiranës si dhe ka mbajtur detyrën e shefit të krimit të organizuar në Policinë e Shtetit, shihet si një nga favoritët kryesorë. Ai konsiderohet si një figurë që nuk kundërshtohet as nga opozita.
Lorenc Panganika mendohet se është një emër shumë i lakuar, përderisa gëzon reputacion në radhët e Policisë së Shtetit. Ai ka mbajtur poste drejtuese, si drejtor në Tiranë dhe Fier, ndërsa me ardhjen e Prodës u “internua” në Akademinë e Policisë.
Skënder Hita, drejtor aktual i qarkut Fier, është një tjetër kandidat i fortë në garë. Ai ka një karrierë mbi 15-vjeçare në polici, ndërsa ka drejtuar disa nga drejtoritë si Dibra, Durrësi dhe Fieri.
Neritan Nallbati, aktualisht drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale, shihet po ashtu si një kandidat i fortë në këtë garë.
Ndërsa në mesin e kandidatëve të tjerë ka edhe emra që po mbështeten nga klane të caktuara, si Afrim Tafa apo Gentian Berberi.
Kandidatët do të kalojnë në vlerësim nga një komision që drejtohet nga zëvendësministrja e Brendshme Silva Caka, me anëtarë Eduart Merkaj, drejtor i AMP-së, dhe sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Brendshme, Kledia Ngjela.
Lista me tre emrat që do të renditen të parët do t’i dërgohet kryeministrit, i cili do të vendosë më pas se kush do të jetë Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
