Një hetim i Autoritetit të Konkurrencës ka hedhur dyshime se Raiffeisen Bank, një nga bankat më të mëdha në Shqipëri, mund të ketë abuzuar me klientët kredimarrës duke i kufizuar në zgjedhjen e sigurimit të jetës. Sipas raportimeve, nga InfoNews.al për kredimarrësit konsumator, banka ka bashkëpunuar vetëm me kompaninë Sigal Life, duke e bërë të detyrueshme lidhjen e policës së sigurimit pranë saj.
Pas publikimit të lajmit nga InfoNews, ka reaguar vetë Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka sqaruar se me vendimin nr. 1171, datë 26.03.2025, është hapur një procedurë e thelluar hetimi në tregun e ndërmjetësimit për sigurimin e jetës.
Hetimi përfshin një numër të gjerë bankash dhe ndërmjetësish financiarë, mes të cilave: OTP Bank Albania, Banka Kombëtare Tregtare, Raiffeisen Bank, Banka e Tiranës, Intesa SanPaolo Bank Albania, Union Bank, E-Business Solutions, Banka e Bashkuar e Shqipërisë, Banka Amerikane e Investimeve, Abi Broker Sigurimesh, Banka e Parë e Investimeve dhe ProCredit Bank.
Sipas Autoritetit, procedura bazohet në të dhënat e mbledhura gjatë fazës paraprake dhe synon të verifikojë nëse në këtë treg ka pasur praktika që kufizojnë konkurrencën dhe lirinë e zgjedhjes së konsumatorëve. “Hetimi nuk është i drejtuar ndaj një banke apo shoqërie sigurimi të vetme, por mbulon tërë tregun në fjalë,” thekson institucioni.
Autoriteti i Konkurrencës nënvizon se procesi është ende në zhvillim dhe nuk ka ende rezultate apo vendim përfundimtar.
