Ethet e garës! Vuri rend dhe siguri në Vlorë, a do të kandidojë Elidon Çela për Drejtor të Përgjithshëm?
Ka nisur gara për zgjedhjen e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Ministria e Brendshme e hapi zyrtarisht garën më 3 mars.
Aplikimet do të pranohen deri më 11 mars.
Çdo oficer policie që mban gradën “drejtues” mund të aplikojë me postë ose me email.
Edhe pse kanë kaluar vetëm dy ditë nga hapja e garës, kanë nisur të përfliten disa emra kandidatësh.
Megjithatë, lista zyrtare e kandidatëve do të publikohet nga Ministria e Brendshme më 11 mars.
Pas largimit të Ilir Prodës, mazhoranca pritet të kërkojë një profil të ri për drejtimin e policisë.
Synimi duket të jetë një figurë më pak e përfolur dhe më pak e sulmuar publikisht.
Një nga emrat që përmendet është Elidon Çela.
Ai është aktualisht drejtor i Policisë së Vlorës.
Më herët, Çela ka mbajtur edhe detyrën e drejtorit të AMP-së në Tiranë.
Ai konsiderohet një oficer karriere me përvojë të gjatë në Policinë e Shtetit.
Sipas burimeve, ai shihet nga mazhoranca si një nga figurat më të pastra brenda policisë.
Vetëm një ditë pas hapjes së garës, më 4 mars, Çela është parë në ambientet e Ministrisë së Brendshme.
Zyrtarisht nuk dihet arsyeja e kësaj vizite.
Megjithatë, prania e tij në ministri ka shtuar zërat se mund të kandidojë për postin e kryepolicit të vendit.
Edhe pse aplikimi bëhet vetëm përmes postës ose emailit.
Në këtë moment, mazhoranca duket se po kërkon një figurë të pastër për drejtimin e policisë.
Në Vlorë, Elidon Çela raportohet se ka pasur rezultate të mira në drejtimin e policisë.
Gjatë drejtimit të tij janë zbardhur mbi 30 ngjarje kriminale dhe janë arrestuar autorë të veprave të rënda penale.
Megjithatë, mbetet për t’u parë se cilët emra të tjerë do të bëhen pjesë e garës për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
