ELBASAN – Biznesmeni i Delta Group, ish-deputet i PDIU-së, Bujar Muça, u arrestua në një lokal në periferi të Elbasanit, në mesin e 13 të tjerëve, të konsideruar nga policia me precedentë të theksuar kriminal. Tre prej tyre mbanin pistoletë me fishekë në fole gati për qitje. Hetuesit dyshojnë se nuk janë klientë të rastësishëm në lokal, por se janë bërë bashkë për të organizuar ndonjë krim, shkruan Report.TV.
***
Një telefonatë anonime mesditën e së hënës në sallën operative të Policisë së Elbasanit çoi Forcat Operacionale dhe ‘Shqiponja’ në një lokal në periferi të qytetit pranë Bradasheshit, ku ishte marrë informacioni se kishte persona të armatosur.Brenda bar restorantit “Zykollari” blutë gjetën 14 persona me banim në Elbasan, Tiranë, dhe vetëm njëri në Itali. Të gjithë u prangosën. Asnjë nuk mundi të ikë edhe pse disa kundërshtuan forcat e policisë, përfshirë biznesmeni i kompanisë “Delta”, Bujar Muça, ish-deputet i PDIU-së. 53-vjeçari përfundoi në pranga për kundërshtim të punonjësit të policisë.
Vetëm 3 personave nga grupi që ndodheshin në lokal, iu gjetën armë. Endri Doda 43 vjeç, Ervin Cani 35 vjeç dhe Akil Kertusha 39 vjeç mbanin secili nga 1 pistoletë pa leje.
Klientëve jo të zakonshëm të lokalit, iu bë edhe kontroll në banesa.
Në disa apartamente policia thotë se gjeti doreza neuroparalizuese apo elektroshok, 4 radio si të policisë, jelek me mbishkrimin “Policia”, send në formë pistolete, sinjalizues në formë pistolete, thikë, shkop metalik, shuma parash, 4 automjete dhe 13 celularë të cilët pritet të ekspertohen.
Në mesin e të arrestuarve është edhe pronari i lokalit Tauland Zykollari, bashkë me djalin e tij të mitur, 17 vjeç. Në mesin e tyre është edhe Maksim Suçi, i njohur edhe me mbiemrin Lika. DVR e bar-restorantit ku policia ndërhyri befasisht u sekuestrua, pamjet e të cilave po këqyren nga hetuesit.
Policia ka dyshime se takimi i këtij grupi personash në lokal nuk ishte rastësor, disa prej të cilëve edhe me precedentë të mëparshëm penal.
Dyshimi shtohet pasi pistoletat u janë gjetur me fishekë në fole, që do të thotë se mund të ishin gati ose për t’iu përgjigjur ndonjë sulmi të mundshëm ose për të bërë krim.
Policia e Elbasanit thotë zyrtarisht se disa nga personat e arrestuar janë me precedent të theksuar kriminal për krime kundër personit dhe në fushën e narkotikëve, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Mes 14 të arrestuarve, disa janë edhe për moskallëzim krimi, pikërisht se i kanë parë armët e nuk kanë raportuar në polici.
“Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe për përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të arrestuar”, njofton policia.
Emrat e personave të arrestuar:
1. Endri Doda, 43 vjeç – Armëmbajtje
2. Ervin Cani, 35 vjeç – Armëmbajtje
3. Akil Kertusha, 39 vjeç – Armëmbajtje
4. Blerim Heta, 39 vjeç – Kundërshtim policie
5. Egi Çaushi, 32 vjeç – Kundërshtim policie
6. Maksim Suçi (alias Lika), 50 vjeç – Kundërshtim policie
7. Bujar Muça, 52 vjeç – Kundërshtim policie
8. Hanson Mullahi, 25 vjeç – Kundërshtim policie
9. Stefan Mehmeti, 46 vjeç – Kundërshtim policie
10. Ergys Tusha, 39 vjeç – Kundërshtim policie
11. Jurgers Mullahi, 30 vjeç – Kundërshtim policie
12. Taulant Zykollari
13. Arjan Doda
\Report.tv
