Deputetë të shumicës dhe opozitës në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, punësimit dhe Financave kritikuan punën e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) lidhur me mbikëqyrjen e tregut të sigurimeve.
Deputetët Erion Braçe, Enno Bozdo dhe Jorida Tabaku theksuan se vazhdojnë të ngrejë çdo vit të njëjtat shqetësime dhe nuk gjen asnjë reflektim nga ky institucion.
Ata u shprehën se në veçanti tregu i sigurimit të detyrueshëm motorik vazhdon të funksionojë si kartel i hapur dhe ndarja e tregut mes kompanive po qëndron në nivele të njëjta prej vitesh.
Në Komisonin e Ekonomisë deputeti i PS Erion Braçe tha se tregu i sigurimeve ka mungesë konkurrence dhe se kompanitë kanë bërë një marrëveshje të jashtëligjshme duke fiksuar çmimet dhe shërbimet në kurriz të qytetarëve. Kjo sipas tij është e pranuar edhe nga vetë institucionet si AMF apo Autoriteti i Konkurrencës që bëjnë ping-pong me kompetencat e tyre.
Por çfarë po ndodh sot me tregun e sigurimeve ?
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për janar – gusht 2025 kapën vlerën 17,906 milionë lekë, ose 9.53% më shumë se në janar – gusht 2024. Gjatë periudhës janar – gusht 2025, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,116,204, me një rritje prej 6.12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo do të thotë se kompanitë e sigurimit kanë rritur ndjeshëm të ardhurat e tyre. Sipas AMF, pagesat e dëmeve gjatë janar – gusht 2025 ishin rreth 55 milionë euro, duke rënë me 2.27% krahasuar me janar – gusht 2024.
Por le të analizojmë një prej kategorive të siguracioneve që përdoret më së shumti në Shqipëri. Bëhet fjalë për kategorinë e Sigurimit Motorik.
Nga ajo që vihet re, të gjitha kompanitë për periudhat janar-gusht 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kanë pasur rritje për primet e shkruara bruto në sigurimin motorik.
Sipas renditjes që ka bërë AMF, kompania e sigurimit SIGAL, ka pasur për periudhën janar-gusht 2025, 12.78 % më shumë primet bruto në sigurimin motorik sesa në periudhën janar – gusht 2024.

Po ashtu, për kompaninë Albsig ka pasur rritje 12.98 %, si dhe për Eurosig, një rritje prej 12.56% të së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Kjo do të thotë se kompanitë kanë shitur më shumë sigurime motorike dhe kanë rritur të ardhurat.
Por çfarë ndodh me dëmet e paguara për sigurimet motorike? Pra, thënë shqip, sa siguracione janë paguar nga këto kompani që kanë rritur të ardhurat?
Ajo që bie në sy është se, ndryshe nga kompanitë e tjera, pavarësisht se numri i sigurimeve është rritur tek SIGAL, kanë rënë ndjeshëm dëmet e paguara në sigurimin motorik, ose thënë ndryshe kanë rënë dëmshpërblimet! Kjo tregohet në tabelën e bërë publike nga AMF.

Në këtë tabelë shihet se për periudhën janar-gusht 2025, SIGAL ka paguar rreth 20 % më pak dëmshpërblime në sigurimin motorik sesa në të njëjtën periudhë të një viti më parë, pavarësisht se primet për sigurimin motorik janë rritur me 12%.

Por nuk është vetëm SIGAL një kompani që nuk dëmshpërblen, pasi në këtë valle fitimi kolosal është edhe kompania INTERSIG. Madje, më keq se SIGAL, kompania INTERSIG ka një rënie prej 34% të dëmshpërblimeve. Po ashtu, një situatë e ngjashme ndodh edhe tek një prej kompanive më të vogla të sigurimit, Atlantik, që ka një rënie prej afro 4.5 % të dëmshpërblimeve.
Gjithashtu, le të marrim në shqyrtim edhe situatën për sa i përket sigurimit të Kartonit Jeshil, një sigurim i detyrueshëm për të dalë jashtë vendit me automjet.
Ajo që vihet re është se të gjitha kompanitë kanë një rritje të primeve bruto të sigurimit të Kartonit Jeshil, për sa i përket periudhës janar-gusht 2025. Kjo rritje është me 12%.
Por si është situata me dëmet e paguara për sigurimin e Kartonit Jeshil? Ajo që bie në sy është se, pavarësisht se të gjitha kompanitë kanë rritje të fitimit nga kartonët jeshilë, situata ndryshon për 3 kompani kur vjen puna për dëmshpërblimet! Sipas AMF, kompania SIGAL, ka një rënie prej më shumë se 60% të dëmshpërblimeve për Kartonin Jeshil se në vitin 2024. Por jo vetëm SIGAL, pasi edhe Intersig ka një rënie me mbi 80%, ndjekur nga Albsig me 50 %./

