Në GJKKO u mbajt seanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë” ku i pandehur është dhe Altin Ndoci, i cili u arratis nga spitali i Durrësit dy ditë më parë. Ndoci që prej vitit 2020 mbahej i izoluar në qendrën e paraburgimit të Durrësit me urdhër të SPAK i akuzuar për vrasje dhe vepra të tjera penale.
Në nisje të procesit gjyqësor, gjykata ka lexuar shkresën e burgjeve: Altin Ndoci nuk mund të shoqërohet pasi është arratisur dhe është person i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.
Në këtë moment, njëri prej avokatëve të Ndocit, Aldo Shkëmbi i ka kërkuar gjykatës për të dërguar sipas procedurës njoftimin për mbajtjen e seancës dhe tek banesa e të pandehurit, pasi mund të ndodhet dhe atje, situatë për të cilën askush nuk ka dijeni.
kërkojmë gjykatës t’i dërgojë kërkesë policisë për të bërë njoftimin sipas procedurës, sepse Altin Ndoci mund të jete edhe në banesën e tij, në këtë nuk e dimë”, tha avokati Shkëmbi.
Në përgjigje të kësaj, prokurori i SPAK Behar Dibra, është shprehur se: Nëse Ndoci ka pasur dijeni për këtë seancë para arratisjes, nuk përbën shkak për moszhvillimin e seancës, duke pasur parasysh se vetëm 1 herë që është paraqitur në këtë proces.
Ndërkohë prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu ka kërkuar të merret informacion nga Policia e Shtetit lidhur rezultatet e kërkimit deri në tani për Altin Ndocin.
Gjykata vendosi që të shty Seancën më datë 20 Janar.
