Kristian Koni alias Olsi Meta, të cilit prokuroria i sekuestroi miliona euro pasuri që dyshohet se rrjedhin nga trafiku i drogës, rezulton se ishte në konflikt me Vesel Demirajn, fëmijët e të cilit i mbijetuan një atentati të mirëorganizuar në zonën e Lundrës.
Në dokumentin e prokurorisë thuhet se Kristian Koni zotëron pasurinë vilë nr. 2-B me përbërje 3 kate dhe sipërfaqe ndërtimi 391.1 metra katrorë, me pishinë në zonën e Mulltetit të Tiranës, pjesë e kompleksit rezidencial Rolling Hills. Kjo pasuri është përfituar përmes një kontrate premtim shitje me shtetasit Vesel Demiraj dhe R. Demiraj. Çmimi i rënë dakord mes palëve ishte 280 mijë euro dhe do të shlyhej paraprakisht nga blerësi, pranë Kristian Konit përmes transferte bankare.
Lidhur me historikun e kësaj pasurie, rezulton se pala premtuese – shitëse shtetasi Vesel Demiraj, e kishte porositur këtë vilë nëpërmjet kontratës së sipërmarrjes së lidhur me kompaninë “AS Construksion”.
Sipas kësaj kontrate çmimi i dakordësuar 808 mijë euro, me pagesë në disa këste.
Në momentin e lidhjes së kontratës së premtim shitjes me Kristian Konin, pala shitëse ende nuk e kishte përfunduar likuidimin e detyrimeve për blerjen e kësaj pasurie. Më datë 18 mars 2024 palët kanë revokuar kontratën e premtim shitjes me arsyetimin se pala premtuese e blerjes nuk kishte përmbushur detyrimet kontraktuale duke e kthyer në gjendjen e mëparshme.
Pas kësaj Vesel e R. Demiraj kanë lidhur marrëveshje të re premtim-shitje me shoqërinë “Kriol.AL” e përfaqësuar nga Kristian Koni për shitjen e së njëjtës pasuri, kundrejt çmimit prej 300 mijë eurosh. “Nga të dhënat konkludohet se shoqëria Kriol.AL e Kristian Konit është përfshirë në transaksion për blerjen e kësaj pasurie me një çmim dukshëm më të ulët se çmimi fillestar i porosisë nga Vesel Demiraj (808 mijë euro)”, thekson prokuroria.
“Në bazë të aktit noterial nr. 1946 rep. / nr. 1328 kol., është rënë dakord që shuma prej 300,000 euro të paguhet si më poshtë:
202,000 euro brenda 10 ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës, në llogari të shtetasve Demiraj, pranë bankave të nivelit të dytë; 98,000 euro me një ose disa këste të papërcaktuara paraprakisht, në varësi të nevojave të palës blerëse dhe në momentin e nënshkrimit të kontratës përfundimtare.
Gjithashtu, është përcaktuar se dorëzimi fizik i pasurisë nga pala shitëse te pala blerëse do të kryhej pas kryerjes së pagesës së këstit të parë, në shumën 202,000 euro”, theksohet më tej.
Deri më tani hetimet nuk kanë zbuluar nëse përplasja mes biznesmenit Demiraj dhe të dyshuarit për lidhje me organizatën mafioze Camorra për këtë pronë, të jetë motiv apo të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me atentatin në Lundër, ku mbetën të plagosur rëndë fëmijët e Demirajt dhe një shok i tyre. Deri më tani policia s’ka dyshime të forta se shënjestra është ngatërruar. Megjithatë, dalja në dritë e këtij detaji, është duke u verifikuar prej tyre.
Ndërkohë lidhur me Kristian Konin, rezulton se ai është i lidhur me organizatën mafioze italiane Camorra dhe kryente trafik droge. Pasuritë në emër të tij dhe të nënës pensioniste ka dyshime se janë blerë nga paratë e drogës, për këtë arsye është vendosur dhe sekuestro mbi to.
“Në funksion të këtij hetimi janë evidentuar edhe disa korrespondenca lidhur me veprimtarinë kriminale të Kristian Konit, ku theksohet se nga të dhënat e Interpolit, ky shtetas rezulton i përfshirë në aktivitet kriminal për trafik droge gjatë periudhës 2007-2012 në Itali”, thuhet në dosje.
Kristian Koni alias Olsi Meta njihet dhe me emrat Kelys Zydrunas dhe Zdanaivicius Ramunas, theksohet në hetimet e prokurorisë.
“Kristian Koni rezulton i përfshirë në një grup kriminal që vepronte në trafikimin e lëndëve narkotike në Itali gjatë periudhës 2007–2012, si dhe janë konstatuar ndryshime gjeneralitetesh dhe përfshirje në transaksione me pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me anomali financiare dhe veprime të dyshimta të lidhura me burime kriminale”, thekson prokuroria. Ndërsa nëna e tij Fitnete Meta, figuron si pensioniste, duke përfshirë transaksione me vlera të konsiderueshme pasurore që nuk korrespondojnë me statusin dhe të ardhurat e saj të deklaruara.
“Në këtë kontekst, pasuritë në emër të tyre dhe subjektit juridik “Kriol.AL” shpk përfaqësuar nga Kristian Koni, janë dyshuara si pasuri të fituara ose të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe për pasojë, vendosja e masës së sekuestros preventive është e domosdoshme për to”, thuhet më tej në dosje./VNA.al
