Pronari i Delta Luan Muça në konflikt me Vasil Bedinajn?
Biznesmeni Luan Muça është personi që dyshohet se është përfshirë në një konflikt me biznesmenin tjetër Vasil Bedinaj. Ky i fundit denoncoi sot se u kërcënua nga 10 persona të armatosur.
Burime për Report Tv thonë se vetë Muça, pronari i delta Group dhe i “Deutsch Color”, ka qenë në ambientet e hotelit të Bedinajt në momentin kur ka ndodhur përplasja. Ndërkohë, personat e armatosur raportohet se kanë qenë punonjës të “SWAT Security”, një kompani private sigurie në pronësi të Madrit Lleshaj. Rezulton se kjo kompani është e kontraktuar nga Muça për të garantuar sigurinë në bizneset e tij.
E PLOTË/ Çfarë ndodhi te hotel Regina në Vlorë? Gjobë apo konflikt pronësie, reagon policia
Të paktën 10 persona të armatosur dyshohet se kërcënuan biznesmenin Vasil Bedinaj në një prej hoteleve të tij në Vlorë. Ai ka lajmëruar policinë duke deklaruar se autorët e armatosur i kanë kërkuar 5 mln euro. Menjëherë ata u larguan nga hoteli, por policia duke shkuar drejt vendit të ngjarjes ka pikasur në rrugë një mjet duke lëvizur me shpejtësi, së cilës iu vunë në ndjekje.
Në makinë u gjend një armë dhe 3 prej autorëve të dyshuar. Në përpjekje për t’i ikur Policisë, drejtuesi i Range Rover-it ka humbur kontrollin dhe mjeti ka përfunduar i përmbysur në rrugë, siç shihet edhe në pamje.
Disa persona kanë rrethuar makinën në përpjekje për të nxjerrë nga aty 3 autorët e dyshuar. Dy prej tyre kanë përfunduar në spital, ndërsa njëri është dërguar në komisariat.
“Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli. Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore. Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.
Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje”, njoftoi Policia. .InfoNews.al

