Riatdhesohen nga kampet e ferrit në Siri 2 gra e 3 fëmijë.
TIRANË- Pas 12 vitesh në Siri, Hajrie Taushani është kthyer në Shqipëri. Sot 79 vjeçe, ajo është një prej pesë shqiptarëve të riatdhesuar, bashkë me mbesën e saj, 2 fëmijë të tjerë të mitur dhe një grua, Myrvete Dibra.
Djali i saj, Sherif Taushani, humbi jetën në Siri në vitin 2014, teksa luftonte krah ISIS-it. Në atë kohë ishte 35 vjeç. Burri nga Elbasani kishte shkuar në Siri në shtator të vitit 2013, duke marrë me vete bashkëshorten dhe tre fëmijët. Për pesë vite kishte qenë imam i xhamisë së Mollasit, ndërsa për të mbajtur familjen punonte tokat në Mollas.Pas vdekjes së të birit, Hajrie Taushani mori rrugën drejt Sirisë. Jo për t’iu bashkuar ISIS-it, por për të gjetur nipërit dhe mbesat dhe për t’i kthyer pranë familjes në Shqipëri. Por pasi mbërriti atje në vitin 2014, kthimi u bë jashtëzakonisht i vështirë. Pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, Hajrie Taushani kishte qëndruar në kampin Al-Hol, në kushte veçanërisht të vështira jetese. Atje e moshuara nisi të kujdeset për fëmijë të mitur brenda kampit të ferrit. Në gjirin e saj mbajti edhe dy fëmijë jetimë, të cilët i kishin humbur prindërit në luftë. Dalja nga kampi Al Hol u bë pas një kohe të gjatë, 12 vite më pas.
Në orën 01:20 pas mesnate, ajo preku tokën shqiptare. Hajrie Taushani mbërriti në Rinas duke i mbajtur dorën një djali jetimë, një 9-vjeçari për të cilin ishte kujdesur vetë në Siri. Nga fëmijët e djalit të saj të ndjerë, arriti të rikthejë në atdhe vetëm mbesën 17-vjeçare me të cilën u kthye në Tiranë në një proces riatdhesimi të ndërmarrë nga shteti shqiptar. Nuk dihet ende se çka ndodhur me 2 fëmijët e tjerë dhe bashkëshorten që djali i saj Sherif Traushani i mori me vete kur u largua në 2013-ën nga Shqipëri.

