SPAK heton tjetërsimin e pronave në Akërni dhe Zvërnec, dyshime për pastrim parash dhe dokumente të falsifikuara
Prokuroria e Posaçme (SPAK) po heton një skemë të dyshuar tjetërsimi dhe shitjeje pronash në zonat e Akërnisë dhe Zvërnecit në Vlorë, ku dyshohet se janë përdorur dokumente të falsifikuara dhe janë kryer transaksione me qëllim pastrimin e produkteve të veprës penale.
Sipas materialeve hetimore, konfliktet për këto prona janë të hershme dhe lidhen me sipërfaqe të mëdha toke, për të cilat disa banorë të zonës pretendojnë pronësinë përmes akteve të marrjes së tokës në pronësi (AMTP). Ndërkohë, pronat rezultojnë të regjistruara në emër të trashëgimtarëve të familjes Shehu dhe më pas të shtetasve Artur Shehu dhe Ferdinant Sulaj.
Hetuesit thonë se një pjesë e pronave janë kaluar më pas në emër të Pullumb Petritajt, i cili ka qenë përfaqësues ligjor në procese gjyqësore dhe administrative që lidhen me regjistrimin e tyre. Sipas SPAK, disa nga vendimet gjyqësore të përdorura për regjistrimin e pasurive janë rrëzuar nga gjykatat më të larta, ndërsa në procese të ndryshme janë evidentuar edhe dokumente të dyshuara si të falsifikuara.
Dyshimet e SPAK janë se pas regjistrimit të pronave janë kryer një sërë shitjesh, shkëmbimesh dhe kontratash të koordinuara mes disa personave, mes tyre Artur Shehu, Leonard Bishaj, Pullumb Petritaj dhe avokati Enkes Hysendhima. Për këtë arsye po hetohet vepra penale e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Në fokus të hetimit janë edhe marrëveshjet e lidhura gjatë viteve 2025-2026, si dhe kontrata të shumta shitblerjeje të hartuara në një zyrë noteriale në Vlorë.
Nga deklarimet e marra gjatë hetimeve ka rezultuar se avokati Enkes Hysendhima ka komunikuar me noteren lidhur me kontrata dhe veprime pronësie në zonën e Vlorës. Në telefonin e noteres janë gjetur komunikime që lidhen me regjistrimin dhe transferimin e sipërfaqeve të mëdha toke në zonat e Akërnisë dhe Zvërnecit.
Ndërkohë, dëshmitë e personave të pyetur nga SPAK tregojnë se për vite me radhë janë zhvilluar negociata për ndërtim dhe shitje të këtyre pronave, me përfshirjen e investitorëve privatë dhe kompanive të zhvillimit. Sipas deklarimeve, vetëm për dy prona në Akërni dhe Zvërnec është diskutuar një vlerë transaksioni prej rreth 2 milionë eurosh.
Hetimet vijojnë për të verifikuar ligjshmërinë e fitimit, regjistrimit dhe tjetërsimit të këtyre pasurive, si dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë në skemën e dyshuar.
