Rrëfehet punëtori i Call Center: Puna ime ishte…
Një hetim i autoriteteve franceze ka zbuluar se si qendra thirrjesh me bazë në Shqipëri dyshohet se kanë mashtruar investitorë francezë përmes skemave të investimeve në kriptovaluta, duke përdorur presion psikologjik, fitime të rreme dhe taktika manipulimi për t’i bindur viktimat të depozitonin shuma gjithnjë e më të mëdha parash.
Çështja nisi në vitin 2023 pas një ankese të paraqitur në qytetin Pau të Francës jugperëndimore, ku një investitor humbi 30 mijë euro në platformën universatrade.io. Gjatë hetimeve, autoritetet identifikuan 19 viktima franceze, të cilat kishin humbur në total rreth 1.5 milion euro.
Sipas raportit, një i ri shqiptar i identifikuar si Jon punonte në një ndërtesë moderne zyrash në Tiranë dhe prezantohej si këshilltar financiar amerikan. Detyra e tij ishte të kontaktonte persona që ishin identifikuar më parë si klientë potencialë dhe t’i bindte ata të investonin më shumë para në platforma të dyshimta.
Në një intervistë për AFP, ai deklaroi se nuk ndiente shqetësim për pasojat që pësonin viktimat. “Nuk e kuptoj pse duhet të kem ndonjë shqetësim nëse njerëzit bien pre e saj. Puna ime ishte t’i joshja ata”, citohet të ketë thënë ai. Sipas raportit, paga e tij arrinte në 1,450 euro në muaj, pa përfshirë bonuset, shumë më e lartë se paga minimale në Shqipëri.
Tirana është bërë tërheqëse për qendra të tilla për shkak të numrit të madh të punonjësve shumëgjuhësh, kostove të ulëta të punës dhe mundësive për pastrim parash.
Një nga viktimat, një biznesmene franceze e identifikuar si Chantal, tregoi se gjithçka nisi pasi klikoi një reklamë online që promovonte investime në sektorin e naftës. Vetëm dhjetë minuta më vonë ajo mori një telefonatë nga personat që qëndronin pas skemës.
Fillimisht ajo investoi 250 euro, por pasi aplikacioni i tregonte fitime të shpejta, vazhdoi të depozitonte para të tjera. Në fund, investimet e saj arritën në 80 mijë euro, ndërsa platforma pretendonte se ajo kishte fituar deri në 300 mijë euro.
Problemet nisën kur Chantal tentoi të tërhiqte 30 mijë euro në kriptovaluta. Sipas saj, telefonatat u shtuan ndjeshëm, duke arritur deri në 15–20 herë në ditë. Mashtruesit pretendonin se depozitat e reja do të zhbllokonin fondet dhe do ta ndihmonin të rikuperonte paratë.
“Atëherë gjithçka shkoi keq”, tha ajo, duke shtuar se presioni i vazhdueshëm e kishte lënë pa gjumë dhe të paaftë për të menduar qartë. Sipas dëshmisë së saj, çdo pagesë e re pasohej nga një kërkesë tjetër për para, ndërsa tërheqjet e premtuara nuk u realizuan kurrë.
Megjithëse një avokat e ndihmoi të rikuperonte një pjesë të humbjeve, ajo deklaroi se më pas u mashtrua sërish nga i njëjti rrjet.
Në fund të muajit prill, autoritetet shqiptare ndërmorën një operacion pas informacioneve të siguruara nga policia franceze. Gjatë bastisjeve u sekuestrua një hard disk që përmbante të dhënat e kontaktit të viktimave franceze.
Si rezultat, pesë shtetas shqiptarë u arrestuan, përfshirë personin që konsiderohet organizatori kryesor i skemës dhe pronarin e qendrës së thirrjeve. Ky i fundit është lënë në paraburgim në pritje të gjykimit.
Ndërkohë, Jon është i detyruar të paraqitet çdo javë në gjykatë ndërsa vijojnë procedurat ligjore. Sipas autoriteteve, akuzat për mashtrim mund të dënohen me nga tre deri në dhjetë vjet burg.
